Aksidenti me dy viktima në Borsh, arrestohet drejtuesi i “Benz”-it

Ditën e djeshme rreth orës 14:20, një aksident i rëndë rrugor u regjistrua në afërsi të Borshit, ku humbën jetën Kujtim Mehmeti, rreth 60-vjeç dhe Donika Mehmeti rreth 55-vjeç, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me furgon.

Një ditë pas aksidentit tragjik, ku çifti bashkëshortëve Kujtim dhe Donika Mehmeti, humbi jetën pas përplasjes së furgonit me një automjet tip “Benz”, policia ka arrestuar drejtuesin e këtij të fundit.

Sipas policisë, i riu Myfit Qejvanaj, humbi drejtimin e makinës dhe u përplas me furgonin ku ndodhej çifti i bashkëshortëve.

Ndërsa nga aksidenti ka mbetur i plagosur edhe vetë 29-vjeçari dhe pasagjeri që ndodhej në makinën e tij.

Ndërsa dy të rinjtë janë transportuar në QSUT, Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar.

”Në vijim të veprimeve për dokumentimin e aksidentit të ndodhur më 30.05.2025, në rrugën e Plazhit, Borsh, ku humbën jetën dy shtetas dhe u plagosën dy të tjerë, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi M. Q., 29-vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një mjet të llojit furgon, që drejtohej nga shtetasi K. M., 66-vjeç, i cili së bashku me pasagjeren D. P., 70-vjeçe, ka humbur jetën në vendngjarje.

Drejtuesi shtetasi M. Q. dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi P. A., 23-vjeç, janë transportuar në QSUT, Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar”, thuhet në njoftimin e policisë.


Shtuar 31.07.2025 10:27