EMRAT+PAMJET/ Kush janë 10 të arrestuarit për sherrin me th*ka në Korçë, në hetim dhe pronari i lokalit

Policia e Korçës ka zbardhur sherrin me thika dhe sende të forta, të regjistruar mbrëmjen e djeshme mes dy grupeve, ku për pasojë mbetën të plagosur dy persona. Ngjarja ndodhi në ambientet e një lokali, pranë parkut kryesor të qytetit juglindor.

Burime zyrtare bëjnë me dije se janë identifikuar dhe arrestuar 10 persona si të përfshirë në konflikt, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Dritan Pino, 54 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

Petrika Ropi, 28 vjeç, Ilir Shukulli, 51 vjeç, Rafail Kocaqi, 21 vjeç, Salvi Asllan, 21 vjeç, Mihal Zhidro, 31 vjeç, Serxhio Mema, 25 vjeç, Gersi Dervishi, 37 vjeç, Sotiraq Shkurti, 31 vjeç, dhe Kristi Lamçe 29 vjeç, të gjithë banues në Korçë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ndërkohë, në kërkim është shpallur shtetasi E. K., 38 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar si i përfshirë në konflikt.

“Këta shtetas janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me njëri-tjetrin, duke prishur qetësinë publike dhe duke shkaktuar dëme materiale në lokal. Gjatë veprimeve procedurale, ata kanë dhënë deklarata të rreme përpara punonjësve të Policisë.” – thuhet në njoftim.

Po ashtu, blutë e Korçës bëjnë me dije se kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe pronarin e lokalit ku ndodhi sherri, shtetasin R. I., 45 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Punësimi i paligjshëm”, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.

Kujtojmë se të plagosur me thikë mbetën shtetasit Sotiraq Shkurta dhe Mihal Zhidro, të cilët u transportuan në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Dyshohet se sherri ka nisur për motive banale, ku ka degraduar deri në përdorimin e mjeteve prerëse dhe mjeteve të forta. Dy grupimet janë përfshirë në një përleshje masive brenda lokalit, duke goditur njëri-tjetrin dhe me karrige.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 1.09.2025 12:59