Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e 5 deputetëve demokratë. Bëhet fjalë për Flamur Nokën, Bledion Nallbanit, Gazment Bardhi, Albana Vokshin dhe Sorina Kotin.
Kaosi në Kuvend
Për herë të parë në historisë parlamentare, projekti ekonomik më i rëndësishëm, buxheti i shtetit, u miratua pa asnjë debat dhe seanca zgjati vetëm 5 minuta, për shkak të kaosit të krijuar gjatë seancës nga opozita, e cila vazhdon të protestojë në Kuvend pas refuzimit të komisioneve hetimore.
Në mes të zhurmës dhe tymit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla rreshtoi pikat e rendit të ditës dhe miratoi projektbuxhetin e vitit 2024 me 73 vota pro.
Ndryshe nga herët e shkuara, deputetët opozitarë në seancën e 20 nëntorit nuk hodhën një, por disa tymuese në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Një prej tyre madje mori edhe flakë. Seanca e së hënës, e cila ishte parashikuar të ishte maratonë për shkak se do të votohej buxheti për vitin 2024, zgjati rreth 5 minuta. Kryeparlamentarja Nikolla u përpoq ta kthente seancën në normalitet duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës.
“Kolegë deputetë, qytetarët kërkojnë të dëgjojnë buxhetin e tyre, pse nuk doni të flasim për rritjen e pagave?! Ju bëj thirrje të vijojmë me diskutimet për buxhetin siç qytetarët e meritojnë! Qytetarët duan të dëgjojnë, ju ç’keni, pse doni të heshtni sot, pse nuk doni të diskutoni”, tha ajo mes të tjerash.
Megjithatë, apeli i saj ishte i kotë. Në këtë pikë, Nikolla kaloi për votim në parim projektligjet e parashikuara që kaluan me votat e mazhorancës. Nikolla përjashtoi nga seanca deputetin e PD-së, Flamur Noka, pasi ky ishte ky i fundit që hodhi tymuesen në sallën e Kuvendit.
Opozita ishte përgatitur për ta bllokuar këtë seancë, ndërsa shumica për të kundërtën, për ta miratuar projektbuxhetin me çdo kusht. Pavarësisht tymuesve të shumta, që kësaj herë rrezikuan që të digjnin sallën e seancës plenare pasi njëra prej tyre shpërtheu në flakë, kryeparlamentarja kaloi çdo akt me shpejtësi pa parë nëse po merrnin shumicën e kërkuar, pasi tymi pengonte pamjen e qartë. Opozita, e cila që në hyrje në sallën e Kuvendit u përlesh me punonjësin e Gardës, kontestoi votimin si antikushtetues. Sali Berisha e quan nul miratimin e projektbuxhetit./albeu.com