EMRAT/ Vrasja në Dukagjin, shpallen në kërkim autorët

Është zbardhur ngjarja e rëndë që ndodhi në zonën e Dukagjinit në orët e mbasdites së 27 shtatorit ku u vra Zef Guri dhe u plagos Gjin Guri, djali i tij, i cili ishte edhe shënjestër e atentatit.

Bëhet me dije se tashmë janë identifikuar autorët e dyshuar, pas mbledhjes së provave dhe dëshmive të para në vendin e ngjarjes.

Martin Qershija, 28 vjeç, Edmond Nika, 29 vjeç, Kujtim Dholla, 25 vjeç, dhe Çesk Serraj, 36 vjeç, janë shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen dhe plagosjen e babë e bir, Zef e Gjin Guri, përkatësisht 73 dhe 43 vjeç. 4 të rinjtë dyshohet se janë autorë dhe bashkëpunëtorë në ngjarjen e rëndë të shënuar rreth orës 18:30 në fshatin Mali i Shoshit, pranë një lokali.

Për të katërt rëndojnë 2 vepra penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”. Tashmë janë njoftuar të gjitha drejtoritë e policive në të gjithë vendin, përfshirë edhe pikat kufitare, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 18:45 në zonën e Dukagjinit në malin e Shoshit, ku mbeti i vdekur Zef Guri  73 vjeç, ndërsa është plagosur rëndë djali i tij, Gjin Guri 43 vjeç.

Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Gjin Guri, i cili mbeti i plagosur dhe është sjellë në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar. Shkak për këtë ngjarje është dyshohet se janë bërë konfliktet për kultivimin e kanabisit.

Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2015, Gjin Guri ka shkëmbyer zjarr me policinë në një aksion anti-kanabis në parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin.

Asokohe ai dyshohej si kultivues i kanabisit, dhe për të shmangur kontrollet në parcelat e tij, qëlloi drejt helikopterit me efektivë. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar nga të shtënat ndërsa Gjin Guri figuronte në listën e 10 personave të shpallur në kërkim si autorë të plumbave drejt helikopterit. Ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij në Malin e Shoshit u vendos tritol.


Shtuar 28.09.2023 08:46