Një 23-vjeçar është arrestuar në Dibër, pasi u kap në flagrancë me një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis e ndarë në doza, në automjetin që drejtonte.
Në pranga ka rënë Franko Bici nga Tirana, teksa janë proceduar penalisht 3 pasagjerët që udhëtonin me 23-vjeçarin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Të proceduarit janë Endi Llupa; Vilson Mehmeti dhe Parid Kullaj.
NJOFTIMI I POLICISE
Sekuestrohen dozat e kanabisit, një shumë parash dhe 5 aparate celular. Në kuadër të operacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli”, strukturat për Hetimin e Krimeve të DVP Dibër, kanë vijuar punën në terren për goditjen e veprimtarive kriminale në këtë fushë. Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për disa shtetas që udhëtonin nga Tirana drejt Peshkopisë, për të cilët dyshohej se posedonin dhe do të shisnin doza me lëndë narkotike kanabis në qytetin e Peshkopisë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Dibër, është organizuar puna për goditjen e këtij rasti.
Në aksin rrugor Fushë Bulqizë-Maqellarë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin F.B., 23 vjeç, banues në Tiranë, të cilit gjatë kontrollit fizik, i është gjetur e fshehur në trup një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në disa doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sëbashku me një shumë parash dhe 5 aparate celular.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u bë arrestimi në flagrancë i 23-vjeçarit, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për tre pasagjerët që udhëtonin me 23-vjeçarin, konkretisht shtetasit E.Ll., 24 vjeç; V.M., 24 vjeç; P.K., 22 vjeç; të tre banues në Tiranë, të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.