EMRAT/ Tre të dënuar dhe një e pafajshme, Gjykata e Posaçme jep vendimin për dosjen e tenderave

Katër shtetas të marrë të pandehur për një dosje tenderash në vitin 2021, janë njohur këtë të hënë me vendimin e Gjykatës së Posaçme. Bëhet fjalë për tre të dënuar dhe një shtetase që është shpallur e pafajshme sepse nuk është provuar shkelja e ligjit prej saj.

Bëhet fjalë për çështjen penale nr.306 të vitit 2021, që kishte në qendër shkeljen e barazisë në tendera publikë dhe falsifikimin e dokumenteve. Konkretisht, bëhet fjalë për shtetasit:

Jeton Cakoni u shpall fajtor për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Ai u dënua me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tij në provë për 16 muaj. Cakoni humbet gjithashtu të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Vlash Gega, i akuzuar për të njëjtën vepër penale si Cakoni, u dënua po ashtu me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj. Edhe për të, u vendos pezullimi i dënimit dhe masa e provës për 16 muaj, si dhe ndalimi për ushtrim funksionesh publike për 5 vjet.

Donika Senka u shpall fajtore për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve në më shumë se një rast. Ajo u dënua me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj. Dënimi i saj gjithashtu u pezullua, duke u vendosur në provë për 16 muaj.

Ndërkohë, shtetësja Irisi Tahiraj u shpall e pafajshme për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, pasi gjykata vlerësoi se nuk provohej përfshirja e saj në veprën penale.


Shtuar 23.06.2025 17:15