Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me operacionin ndërkombëtar të zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre finlandeze ku u goditën 4 grupe kriminale me anëtarë shqiptarë e të huaj, të cilët operonin në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas asaj që u deklarua nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme drejtues të kësaj çështje, Arben Kraja dhe Alfred Shehu, dy nga “kokat” e këtyre grupeve kriminale, të cilët aktivitetin e tyre e kishin shtrirë në kontrabandimin e lëndëve narkotike nga Spanja e Holanda për në Finlandë, janë nga Vlora.
Sipas burimeve për media, këta dy persona janë identifikuar si Dorjan Luzaj e Geraldo Seferaj, tashmë të arrestuar. Janë arrestuar: Besnik Sparta, Erind Teneqexhiu (Agalliu) Altin Musta, Kela Qevani, Elton Tavani, Elton Myftari, Ledion Hoxha dhe Dorjan Luzaj e Geraldo Seferaj.
“Dy nga krerët e grupeve kriminale janë me origjinë nga Vlora. Për bazë konkrete nuk mund të flasim. Pjesa tjetër ka qenë e përqendruar në zonën e Kuçovës dhe Beratit”, tha prokurori Alfred Shehu duke bërë me dijë ndër të tjera, se në vendin tonë këta shtetas rezultojnë të kenë qenë të “pastër”, ndërkohë që për autoritetet finlandeze mësohet se janë persona me precedentë penalë.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar në total 11 masa sigurimi “arrest me burg”, 9 prej tyre të ekzekutuara dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim.