Tre shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë greke në ishullin e Mykonos, pas një operacioni të gjerë antidrogë, që çoi në zbulimin dhe çmontimin e një rrjeti të trafikut të narkotikëve. Njëri prej të ndaluarve, Spiro Lila, rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK për trafik ndërkombëtar droge dhe përfshirje në një grup kriminal të goditur në Sarandë në vitin 2019.
Sipas policisë greke, grupi kriminal ka nisur aktivitetin e paligjshëm të paktën që nga muaji maj 2025, duke shpërndarë kokainë, kokainë rozë, marijuanë dhe tableta droge në zona të ndryshme të Mykonosit. Ata ishin vendosur në tre banesa me qira, ngjitur me njëra-tjetrën, të cilat i përdornin si “baza” për ruajtjen e lëndëve narkotike, ndërkohë që shpërndarjen e kryenin përmes automjetesh dhe motoçikletash të përdorura për lëvizje të shpejta dhe të maskuara.
Në pranga ranë:
Spiro Lila, 30 vjeç, nga Gramshi
Roland Allka, 33 vjeç, nga Gramshi
Euglend Dumi, 36 vjeç, nga Vaqarri, Tiranë
Policia greke bëri me dije se për të shmangur zbulimin, njëri nga anëtarët e grupit shërbente si roje telefonike jashtë banesave, ndërsa të tjerët kryenin shpërndarjen e drogës duke bërë lëvizje të dyshimta dhe ndalesa të shkurtra në zona të ndryshme të ishullit.
Gjatë operacionit u sekuestruan:
932.2 gram kokainë
7 gram kokainë rozë
899 gram marijuanë
1.4 gram metamfetaminë kristalore
93 tableta narkotike
5,060 euro para cash
1 armë zjarri me 10 fishekë
1 thikë
1 automjet dhe 1 motoçikletë
3 peshore elektronike precize
4 telefona celularë
Vlera e përfitimit të pritshëm financiar nga shitja e lëndëve të sekuestruara, sipas autoriteteve greke, tejkalon shumën prej 100 mijë euro.
Lëndët narkotike do t’i nënshtrohen analizës laboratorike, ndërsa paratë do t’i kalojnë Zyrës Tatimore të Mykonosit. Hetimet vijojnë për të zbuluar të tjera lidhje të mundshme të rrjetit në Greqi dhe Shqipëri.