Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së, kryedemokratit Sali Berisha i kanë dalë kundër disa deputetë për vendimmarrjen e bojkotit të komisioneve për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore.
Sipas gazetarit Osman Stafa, deputetët Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu, Arjan Ndoja, Luan Baçi, Bledi Himci, Bujar Leskaj dhe Eno Bozdo, kanë deklaruar se duhet të merret pjesë në komisione për reformat zgjedhore e territoriale.
Në këto kushte, Berisha është shprehur se do jetë Kryesia ajo që do marrë vendimin final lidhur me marrjen pjesë në mbledhje ose jo.
Kujtojmë se ditën e sotme PD braktisi sërish mbledhjen për Reformën Territoriale, ndërkohë mazhoranca socialiste në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale pritet të aktivizojë mekanizmin zhbllokues pas bojkotit të opozitës.
Kryetari i këtij komisionit, Arbjan Mazniku paralajmëroi se do t’i drejtohen Kuvendit formalisht për të bërë ndryshimet në Komision, me qëllim, sic tha ai, t’i hapet rruga punimeve të komisionit.
“Ne do ti drejtohemi seancës për të ndryshuar komisionin dhe ti hapim rrugën me shpejtësi dhe të fitojmë kohën e humbur” , tha Mazniku.
Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, në një prononcim për mediat tha se deputetët e PD nuk lejohen nga Sali Berisha që të marrin pjesë në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Balla shpreson në një reflektim të demokratëve, për pjesëmarrjen ne komision ditën e sotme, në të kundërt, ai paralajmëroi se nesër në Kuvend do të aktivizohet mekanizmi zhbllokues.
“Unë nuk bëj ultimatume, por kam bërë një kërkesë kolegëve të PD që të reflektojnë sa i përket detyrimit që kanë për të zbatuar vendimin e Kuvendit për ngritjen e Kuvendit të Posaçme për Reformën Territoriale.
Tre muaj pas ngritjes së Komisionit, deputetët e PD nuk lejohen nga lidershipi i tyre për të marrë pjesë. Besoj dhe shpresoj që në mbledhjen e sotme, jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent, por të marrin edhe detyrat, në mënyrë që nesër ne seancën e Kuvendit të mos vendosim mekanizma zhbllokues.
Ky mekanizëm zhbllokues do të aplikohet tek komisioni i posacëm për territorialen, nëse nuk ka reflektim dhe Shqipëria është e detyruar të adresojë rekomandimet shumë vjeçare të ODIHR.
Unë mendoj që dialogu e ka parakusht të vetëm pjesëmarrjen. Me këtë të dialogoj, kur ai nuk vjen”, tha Balla.
