Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, pas hetimeve disa mujore ka mbyllur hetimet, duke proceduar penalisht ish-drejtoreshen e ASHK-SË Sarandë, Aida Demi dhe dy specialistë për “Shpërdorim detyre”, pasi legalizuan një objekt 4 katësh me dokumente të falsifikuara. Ata akuzohen për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Pas vendimit të dhënë nga Gjyqtari i seancës paraprake i cili la në fuqi kërkesën e Prokurorisë, policia e Sarandës, ka ekzekutuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish Drejtoreshën e ASHK Sarandë, Aida Demi 40-vjeç, si dhe masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” për ish zyrtarët e po të njëjtit institucion, Erald Lika 33-vjeç dhe Ermen Stroka 34-vjeç dhe ish deputetin e Partisë Demokratike Gani Hoxha.
Për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe dy ish-specialistet e ASHK Sarandë, E.S. dhe E. L., të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme kanë lejuar legalizimin e një objekti katër kate në favor të një shtetasi i cili ka përdorur dokumenta të falsifikuara.
Ndaj shtetasve më sipër, me vendimin nr 113, datë 13.5.2024, pas kërkesës së organit të akuzës, është caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, masa e sigurise “arrest në shtëpi” ndërsa ndaj ish-drejtoreshes së ASHK Sarandë, për shkak të statusit të saj “nënë me fëmijë nën 3-vjeç”, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, është caktuar edhe ndaj shtetasit G. H., si personi që ka përfituar padrejtësisht nga procedura e legalizimit dhe që dyshohet se ka përdorur dokumenta të falsifikuara.
Nga këto veprime të kundraligjshme të specialiteve dhe ish-drejtoreshes së ASHK Sarande, është tjetërsuar pasuria (Truall me sipërfaqe 1000 m2 dhe godine katër kate me sip ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sip 1056 m2 aktivitet social ekonomik).
Kjo godinë disponohej dhe jepej me qira prej vitesh nga pronarët e vërtetë një subjekti të njohur tregtar në të gjithë teritorin e vendit, i cili ushtronte aktivitet edhe në periudhën kur janë kryer procedurat e legalizimit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijon hetimet edhe për fakte të tjera në ngarkim të zyrtarëve lokale të përfshire në paligjshmeri në ushtrim të detyrave shteterore.