EMRAT/ Kush janë dy shqiptarët më të kërkuar në listën e përditësuar të Europol

Aleks Burreli, 55 vjeç, nga fshati Suç i Matit dhe Edinjo Pulti, 37 vjeç, nga Shkodra, vijojnë të jenë të vetmit shqiptarë në listën “Most Wanted” të Europol.

E përditësuar së fundmi, në këtë listë janë në total 45 persona nga e gjithë Europa që kërkon për vepra të rënda penale, pjesa më e madhe e tyre për krime kundër personit, vrasje dhe masakra me shumë të vdekur.

Në listë, më përditësimin e fundit janë shtuar disa të huaj që kërkohen për vrasje, si dhe dy shqiptarë.

Aleks Burreli, i cili njihet edhe me emrin Gani, është në kërkim ndërkombëtar nga Qipro për vrasjen e një biznesmeni qipriot, dhe jo vetëm, më 23 qershor 2016.

Në atë kohë 55-vjeçari Burreli hapi zjarr drejt një tavoline në një restorant ku po darkonte biznesmeni Fanos Kalopsidiotis, duke e lënë të vdekur në vend bashkë me 2 persona të tjerë në tavolinë, dhe 2 të tjerë të plagosur. Në të njëjtën ngjarje mbeti i vrarë Jani Vogli, në atë kohë 41 vjeç, bashkëpunëtor i Burrelit.

55-vjeçari ishte i pari që u përfshi në listën “Most Wanted” të Europol, dhe prej asaj kohe nuk është lokalizuar nga agjencitë partnere.

Një vit më vonë në listë u shtua një tjetër bashkëkombës i tij, Edinjo Pulti. 37-vjeçari shkodran kërkohet të arrestohet nga Luksemburgu për tentativë vrasje. Më 2 gusht 2020 ai u përfshi në një përleshje në Pétange. Disa burra, duke përfshirë një të armatosur me thikë, u përleshën në qendër të qytetit Sipas Europol, Pulti goditi disa herë me thikë dy persona, njërin prej tyre në bark. Pulti është emër i njohur për drejtësinë shqiptare për një plagosje shumë vite më parë. Ai u arrestua në 2022-shin në vendin tonë, por për shkak të mungesës së një marrëveshje ekstradimi me Luksemburgun, u la i lirë, duke konsideruar se brenda vendit nuk ka asnjë çështje penale të hapur.

Në listën prej 45 personash që kërkohen nga Europol, dy shqiptarët nuk konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, përkundër 17 të tjerëve që konsiderohen shumë të rrezikshëm, prej krimeve monstruoze të kryera ndër vite.


Shtuar 6.09.2023 10:16