Policia e Elbasanit ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij pasi dyshohet se do të vidhnin një banesë.
Mësohet se shtetasi 23-vjeçar Angjelos Mehja banues në Elbasan është arrestuar nga policia, ndërsa bashkëpunëtori i tij, 44-vjeçari Marenglen Ibrahimi është shpallur në kërkim.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas kishin siguruar mjetet për kryerjen e vjedhjes në një banesë në lagjen “Skënderbej”. Në afërsi të banesës ku synohej të vidhej, si dhe gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjeti i përdorur për të shkuar drejt banesës ku do të kryhej vjedhja, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, municion luftarak, si dhe një radio si e Policisë.
Vijon puna për kapjen e 44-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.