Policia ka vënë më pranga tre shtetas në Gramsh, një çift bashkëshortësh Ilir dhe Marjana Çoniku
dhe djalin e tyre, Dejvi Çoniku pasi ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrollit në dy banesa në përdorim nga kjo familje, në Gramsh, janë gjetur dhe sekuestruar 5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se janë prodhuar dhe përgatitur për shitje nga 23-vjeçari dhe prindërit e tij.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Relatives”, nga Seksioni kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në DVP Elbasan.
Ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, vihen në pranga një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre.
Sekuestrohen 5 kg kanabis dhe një sasi municioni luftarak.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative, nga Seksioni kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në DVP Elbasan, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Relatives”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
I. Ç., 46 vjeç, M. Ç., 41 vjeçe (bashkëshortë) dhe shtetasi D. Ç., 23 vjeç (djali i tyre).
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrollit në dy banesa në përdorim nga kjo familje, në Gramsh, janë gjetur dhe sekuestruar 5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se janë prodhuar dhe përgatitur për shitje nga 23-vjeçari dhe prindërit e tij.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të dy banesave u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një sasi municioni luftarak.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.