EMRAT/ GJKKO dënon tre persona për ndikim mbi zyrtarët e drejtësisë! Mes tyre dhe ish-shefi i Komisariatit, Erion Dani

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dorëzuar pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale nr. 177/1, ndaj tre të pandehurve: Musa Gjikola, Erjon Dani dhe Vilson Roçi.

Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar dhe, më datë 5 shkurt 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi, vendosi:

Musa Gjikola u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (episodi 1) dhe u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim.

Në bazë të uljes 1/3 të dënimit, ai do të vuajë 1 vit burgim nga data e arrestimit më 11 korrik 2025.

Erjon Dani u shpall fajtor për të dy episodet e akuzës për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë” dhe u dënua fillimisht me 2 vite për secilin episod.

Pas bashkimit të dënimeve dhe zbritjes 1/3, dënimi përfundimtar është 2 vite burgim, gjithashtu duke filluar nga momenti i arrestimit më 11 korrik 2025. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Vilson Roçi u shpall fajtor për dy episode të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë” dhe u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj për secilin rast. Pas bashkimit dhe uljes 1/3, dënimi përfundimtar është 1 vit burgim, i cili do të fillojë nga data e arrestimit më 11 korrik 2025.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të ngarkohen solidarisht tek të pandehurit e shpallur fajtorë. Zbatimi i vendimit i ngarkohet SPAK-ut, ndërsa kundër tij mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve.


Shtuar 5.02.2026 16:58

Tags: ,