Përmes një deklarate për media , zëdhënësja Antikorrupsion në PD, Genta Vangjeli, u shpreh se Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK, një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me aferën korruptive “Eco Park”.
Ajo bëri me dije se kallëzimit i janë shtuar fakte të reja, që e implikojnë edhe më tej kryeministrin.
Sipas Vangjelit, veprimet e dokumentuara tregojnë për një plan të mirorganizuar korruptiv në bashkëpunim me kompaninë e inceneratorëve.
PD i kërkon SPAK të hetojë në mënyrë të thelluar këtë çështje, në interes të transparencës dhe llogaridhënies.
Deklarata:
Më 18 Mars 2024 Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK, kryeministri Edi Rama e të tjerë për aferën korruptive të Eco Park.
Një shtesë kallëzimi përgatiti PD me fakte të reja për të njëjtën aferë që inkriminojnë edhe më shumë KM Edi Rama.
Kronologjia e ngjarjeve vijoi kështu:
Edi Rama në bashkëpunim me koncesionarin e inceneratorit të Tiranës ‘Integrated Energy bv SPV’, 6 muaj përpara se të hapej procedura tenderuese për ‘Mbylljen e vendepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park Durrës’ kontraktoi Cassanova Hernandes në cilësinë e projektuesit për këtë investim në Porto Romano.
Më pas në Tetor 2019 drejtuesi i AKUM, Alqi Bllako shpalli tenderin me vlerë 1.9 miliard lekë.
Në 2 Dhjetor 2019 Ministria e Financave e kohës Anila Denaj i drejtohet me shkresë AKUM-it duke kërkuar anulimin e procedurës me justifikimin se fondet do të përdoreshin për tërmetin e datës 26 Nëntor.
Anulimi i procedurës publikohet në buletinin e APP-së të datës 16 Dhjetor dhe po në të njëjtën ditë Edi Rama në cilësinë e Kryetari të Komitetit të Emergjencave urdhëron që mbetjet inerte të tërmetit të depozitohen në Porto-Romano dhe AKUM tashmë të rihap me procedurë të përshpejtuar tenderin për ndërtimin e ECO PARK.
Në datën 27 Dhjetor lidhet kontrata me subjektet DE MARE srl dhe VICTORIA INVEST.
Ndërkohë para pak ditësh në median SYRI TV u transmetua një video inkriminuese që mbante datën 7 Dhjetor 2019 ku shfaqet kryeministri Edi Rama duke vizituar kantierin tashmë të hapur në Porto Romano ku kishin filluar depozitimet e mbetjeve të tërmetit e mbi të gjitha në video Rama komunikon me Elton Buallin i cili është drejtues i kompanisë së inceneratorit të Tiranës.
Rama në këtë takim shfaqet duke urdhëruar punonjësit e inceneratorit që të zbatojnë punimet sipas projektit dhe duke këmbëngulur që ECO PARK të hapet në datën 1 Qershor 2021.
Drejtuesi politik i qarkut Durrës, z.Oerd Bylykbashi kërkoi përsëri nga SPAK të hetojë aferën duke konsideruar faktet e reja.
Çfarë pune kishin punonjësit e ‘Integrated Energy BV’ në kantierin e Porto Romanos kur ishte në zhvillim e sipër procedura tenderuese???
Për transparencën e publikut dhe si fakt shtesë që vërteton se kjo aferë që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 1.9 miliard lekë si dhe shumë të tjera e kanë emrin Edi Rama bëjmë me dije se:
Në dosjen e SPAK për Veliaj – Xoxa është publikuar një komunikim me shkrim i znj.Xoxa me shtetasin me iniscialet D. Z., ku përmendet një emër Jesus Herndandez…
Personazhi Jesus Hernandez Mayor është njëri nga pronarët e kompanisë Casanova Hernandez Architects degë e shoqërisë së huaj e regjistruar edhe në Shqipëri në vitin 2018 me objekt kryesor të veprimtarisë në fushën e projektimit, zbatimit, konsulencës, ndërtimit dhe mbikëqyrjes në punime të ndryshme.
Kjo kompani ka kryer në Shqipëri gjithësej 21 projekte shumë të mëdha dhe sipas spending data ka përfituar deri tani 949 mijë euro.
Njëri nga këto projekte është edhe Eco Park Durrës. Partia Demokratike ngulmon në apelin e saj drejtuar Spak që hetojë faktet sepse pas aferave korruptive qëndron vetë Edi Rama.