Nga Guli Francis-Dehqani “The Indedepent”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Këtë javë u përballëm edhe një herë me lajmet e tmerrshme mbi njerëzit që humbin jetën në det teksa kërkojnë dëshpërimisht një vend të sigurtë për të jetuar dhe punuar. Numri i jetëve të konfirmuara si të humbura në brigjet e Greqisë është i tmerrshëm dhe duket e sigurt se do të rritet.
Shumica nga ne duan që të shohin një zgjidhje humane, për të siguruar që njerëzit e dëshpëruar të mos kenë nevojë të bëjnë udhëtime të tilla të rrezikshme për të gjetur mbrojtje. Por kjo tragjedi ka ndodhur pikërisht në kohën kur Projektligji për Emigracionin Ilegal po debatohet në Dhomën e Lordëve.
Një projektligj që do të jetë i paefektshëm në adresimin e humbjes tragjike të jetëve që kemi parë kaq shpesh në Kanalin Anglez. Siç e kam argumentuar unë dhe shumë të tjerë nga të gjitha kampet politike në Dhomën e Lordëve, një projektligj që synonte t’i mbyllte derën kujtdo që kërkon azil në Britaninë e Madhe, përveç rastit kur mbërrijnë në rrugë të ligjshme.
Kjo do të thotë se nëse miratohet ky draft do t’u mohohet strehimi fëmijëve nga Sudani, njerëzve që kanë punuar së bashku me personelin britanik në Afganistan, por edhe atyre mijëra njerëzve që jetët e të cilëve janë shkatërruar nga lufta në Siri.
Kjo për shkak se ekzistojnë shumë pak mënyra të sigurta që njerëzit nga këto vende dhe të tjera të mbërrijnë në brigjet tona. Me përjashtim të refugjatëve nga Ukraina dhe Hong Kongu, rrugët ekzistuese ligjore kanë qenë të mbyllura, dhe projektligji në fjalë nuk parashikon asnjë hap për ta adresuar këtë problematikë.
Përkundrazi, ne po shohim masa që synojnë më shumë sesa të ndihmojnë viktimat, të nxisin idenë se adoptimi i një qëndrimi gjithnjë e më armiqësor dhe mizor ndaj atyre që ikin nga lufta dhe persekutimi do t’i pengojë ata të kërkojnë strehim në Britani.
Në një listë të gjatë politikash brutale ndaj refugjatëve, Projektligji i Emigrimit të Paligjshëm përfaqëson një nivel tjetër të ulët, që “do të përbënte një ndalim të azilit”, sipas fjalëve të agjencisë së OKB-së për refugjatët. Familja ime kërkoi strehim në Britani pasi revolucioni në Iran solli sulmin e komunitetit të vogël anglikan atje.
Babai im, një peshkop në Iran, i mbijetoi një atentati. Edhe vëllait tim 24-vjeçar i bënë atentat. E vërteta është se ata që ikin nga lufta, uria dhe persekutimi, synojnë të gjejnë siguri me çdo mjet që munden. 43 vjet më vonë, jam e detyruar të pyes veten nëse do ta kishim gjetur sot atë siguri dhe mirëpritjen që na dhanë dikur dhe që na lejoi të rindërtonim jetën tonë.
Në rast se shndërrohet në ligj Projektligji i Emigracionit të Paligjshëm, azilkërkuesit që po u ikin tmerreve të paimagjinueshme dhe që aktualisht nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të mbërrijnë me mjete të tilla si një varkë e vogël, do të përballen me mbylljen pas hekurave ndërsa qeveria kërkon që t’i largojë ata pa shqyrtuar as kërkesën e tyre për azil.
Për më tepër, kjo do të thotë se vendi ynë mund të mbyllë në qendrat e paraburgimit rreth 45.000 fëmijë në 3 vitet e para pas miratimit të projektligjit. Një ndalim i tillë masiv i fëmijëve do të ndodhte pavarësisht nëse ata janë me familjet e tyre apo të pashoqëruar.
Ky ndalim do të jetë pa asnjë kufizim kohor dhe në çdo objekt në të gjithë vendin ku e cilëson të nevojshme Ministria jonë e Brendshme. Nga përvoja jonë e kaluar e paraburgimit të fëmijëve në Britani – por edhe nga praktika e kaluar në vende si Australia dhe Greqia – ne e njohim fare mirë dëmin e madh fizik dhe mendor që u shkakton kjo përvojë fëmijëve, duke i lënë shpeshherë me trauma për gjithë jetën.
Projektligji i Emigracionit të Paligjshëm po provokon një kundërshtim të fortë nga të gjitha anët e spektrit politik, si dhe nga organet mjekësore, grupet e besimit, organizata bamirëse në ndihmë të fëmijëve dhe nga më shumë se 500 grupe kombëtare dhe lokale të të gjitha llojeve të bashkuara në koalicionin “Së bashku me Refugjatët”.
Por ndërkohë po vazhdojnë të ndodhin ngjarje të tmerrshme. Ndërsa vajtojmë humbjen tragjike të jetëve njerëzore në anën tjetër të Evropës, le ta kanalizojmë atë dhembshuri dhe solidaritet njerëzor në gjetjen e një rruge të re dhe më të mirë për ta këtu në Britaninë e Madhe.
Unë shpresoj se ministrat e kabinetit qeveritar do të reflektojnë dhe do të rishikojnë projektligjin në tërësi duke anuluar këtë masë që është e një mizorie ekstreme. /albeu.com