Elvin Gokaj shpalos platformën për drejtimin e SPAK: Kam tre shtylla kryesore…

Kandidati i tretë për të marrë drejtimin e SPAK, Elvin Gokaj, ka nisur intervistimin para anëtarëve të KLP, ku po shpalos programin e tij për drejtimin e institucionit të drejtësisë..

Gokaj e nisi prezantimin me profilin e tij dhe karrierën në sistemin e drejtësisë si dhe çështjet që ka hetuar, teksa u shpreh se veprimtaria e tij do të fokusohet në tri shtylla kryesore.

“Veprimtaria ime do fokusohet në luftën kundër krimit, përmirësimin e strukturës dhe shtim kapaciteti njerëzor, forcim i marrëdhënies dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët dhe forcimi i besimit te publiku. Drejtimi i ri i SPAK do të nisë me analizë, që do të ndihmojë në hartimin e një strategjie zhvillimi për tre vitet e ardhshme. Çdo prokuror duhet të fokusohet tek mund të fokusohet tek hetimi dhe ndjekja penale duke pasur besim tek aftësitë e stafit mbështetës. Krimi i organizuar përfaqëson një nga kërcënimet me serioze. Ai ka kaluar fazat e operimit tradicional duke evoluar drejt infiltrimit në ekonomi, pastrimit të parave dhe ndikim në vendimmarrje publike. Edhe korrupsioni specifikisht i ‘jakave të bardha’ ka evoluar me ritme të mëdha dhe është e domosdoshme jo vetëm goditja e faktit korruptiv, por edhe konfiskimi i produkteve të ardhur nga krimet korruptitve”, tha prokurori.

Anëtarët e KLP-së, do të zgjedhin në mbledhjen e sotme kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, i cili do të ketë një mandat 3-vjeçar.

Mandati i kreut aktual të kësaj prokurorie, Altin Dumani mbaron këtë muaj.

Në garë për kreun e SPAK-ut janë katër prokurorë, Klodian Braho njëherësh shefi i seksionit kundër korrupsionit dhe “Shpërdorimit të detyrës” në SPAK, Adnand Xholi, i cili aktualisht mban postin e zv/drejtuesit të prokurorisë, Elvin Gjokaj që shërben pranë seksionit kundër korrupsionit dhe Doloreza Musabelliu që është pjesë e seksionit kundër krimit të organizuar në SPAK.


Shtuar 11.12.2025 13:47