Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka urdhëruar shkarkimin e Iris Elezit nga posti i drejtoreshës së Arkivit të filmit. Burime për ABC bëjnë me dije se shkarkimi i Elezit vjen për ”konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik”.
Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer auditim nga data 08.09.2020 deri më datë 06.11.2020 në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Sipas KLSH nga verifikimet është konstatuar nuk ka pajisje teknologjike për matjen e temperaturës dhe lagështirës.
“Nga verifikimi i ambienteve të arkivave shtetërore vendore në Lushnje, Rrëshen dhe Shkodër, u konstatua se:
– Nuk ka pajisje teknologjike për matjen e temperaturës dhe lagështirës (përjashtojmë këtu Arkivin Qendror), duke ndikuar në mungesën e monitorimit të vazhdueshëm të kushteve mikro-klimatike e për pasojë rëndimin e kushteve fizike për ruajtjen e dokumenteve, të cilat aktualisht janë jashtë standardeve të miratuara në normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë. Ambientet e jashtme dhe të brendshme të godinave kanë lagështirë të konsiderueshme, si një nga elementët kryesorë të shkatërrimit të dokumenteve fizik e për pasojë humbjen e tyre në rastin më të keq, apo qoftë edhe vështirësi në procesin e dixhitalizimit.
– Godinat aksesohen nga punonjësit nëpërmjet hapjes së dyerve me çelës, ndërsa chip-i i përdorur shërben më shumë si kohëshënues i hyrje daljeve dhe jo si evidentim i personit që ka hyrë.
Check-im dhe evidentim i personelit kryhet vetëm në Arkivin Qendror, por edhe në këtë rast, hyrja është deri në nivelin e derës kryesore, dhe jo në nivel dhome ruajtjeje dhe kurrsesi në nivel dosjeje.
– Në vend ruajtjen e Rrëshenit nuk ka sistem për detektimin dhe fikjen e zjarrit. (Më hollësisht trajtuar në pikën (2.5) faqe (38-48) të Raportit Përfundimtar të Auditimit),” thuhet në njoftimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Gjithashtu, KLSH rekomandon Drejtoinë e Përgjithshme e Arkivave, duke marrë në konsideratë burimet e nevojshme dhe të disponueshme, të marrë masat e nevojshme, për përmirësimin e kushteve fizike të ruajtjes së dokumentacionit të arkivuar, duke implementuar edhe sisteme të teknologjisë së informacionit të cilat do të shërbenin për krijimin e standardeve optimale për ruajtjen e tyre.
Sakaq, Iris Elezi u emërua drejtoreshë në Arkivin e Filmit në vitin 2017./abcnews.al