Elsa Lila thumbon Arbana Osmanin?

Këngëtarja e njohur Elsa Lila është rikthyer në qendër të vëmendjes pas pjesëmarrjes së saj në dy intervista të njëpasnjëshme, te podcasti i Grida Dumës dhe te podcasti i Arbana Osmanit. Në të dyja intervistat, artistja foli me sinqeritet për jetën e saj personale, karrierën dhe sfidat që ka kaluar ndër vite. Megjithatë, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen e publikut ka qenë ndryshimi i tonit dhe sjelljes së saj, veçanërisht në intervistën me Arbana Osmanin, ku shumë ndjekës e kanë cilësuar më të tensionuar dhe nervoze.

Një komentues në rrjetet sociale i ka shkruar këngëtares:

“Elsa, te Grida u dukje më e vërtetë dhe më e qetë. Jo çdo ditë jemi në humor të mirë, plus që nëse këtë podcast e ke bërë pas Arbanës, duket sikur je munduar të vetëkorrigjohesh. Vetëm fakti që ti je e ndërgjegjshme se në këtë botë vetëm gënjehet, mjafton për shumë nga reagimet e tua. Por gjithsesi, intelekti yt është për t’u admiruar.”

Elsa zgjodhi t’i përgjigjej personalisht komentit me shumë qetësi dhe klas:

“Faleminderit për mirësjelljen! Ky podcast është regjistruar shuuuuume kohë para tjetrit. Qetësia ime ka të bëjë, ashtu si për secilin prej nesh, me personin që kemi përballë.”

Me këtë përgjigje, Elsa Lila sqaroi se ndryshimet në sjellje nuk lidhen me ndonjë nervozizëm apo qëllim të caktuar, por me dinamikën njerëzore dhe raportin që krijohet gjatë bisedës.


Shtuar 4.11.2025 11:15