Elisa Spiropali uron Vangjel Tavon: Zgjedhjet e Himarës me standard demokratik të një vendi anëtar të NATO-s

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka uruar Vangjel Tavon, pasi ai u shpall fitues në zgjedhjet e Himarës.

Spiropali shkruan se “populli i Himarës foli, zgjodhi, dëshmoi atë që dihej dhe pritej, një kulturë të lartë politike, qytetare e demokratike”.

Ndryshe nga opozita që i konsideron zgjedhjet të manipuluara, Spiropali thotë se ato ishin të një standardi demokratik të denjë për një vend të NATO-s!

“Zgjedhjet në Himarë përfunduan. Populli i Himarës foli, zgjodhi, dëshmoi atë që dihej dhe pritej: një kulturë të lartë politike, qytetare e demokratike.

E rëndësishme është që fushata dhe procesi ishin të qetë, të rregullt, me standardet e një shoqërie demokratike të një vendi anëtar të NATO-s, që përparon me shpejtësi drejt BE-së, të një vendi lider në rajon, që konsolidon pareshtur vlerat dhe institucionet e demokracisë liberale.

Urime të përzemërta Kryetarit të ri të Bashkisë, kolegut dhe mikut Vangjel Tavo, për fitoren. Punë të mëdha të presin, i merituar Kryetar, për progresin dhe mirëqenien e njësive administrative Himarë, Lukovë dhe Horë-Vranisht, të të gjithë himarjotëve, pa dallim.

Përgëzime qytetarëve të Bashkisë Himarë për kulturën e lartë qytetare, tolerante, patriotike dhe demokratike“, shkruan Spiropali.


Shtuar 5.08.2024 12:22