Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Rrilë të Lezhës ditën e djeshme, ku humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës elektricisti M.P., i cili në ato momente po riparonte një defekt në shtyllën elektrike të zonës, por ra në rrethana të dyshimta në kontakt me rrymën.
Në vijim të hetimeve të thelluara nga Policia e Lezhës, sot u konfirmua marrja nën akuzë për shpërdorim detyre të inxhinierit të OSHEE-së dhe 3 kolegëve të viktimës.
Ndaj tyre u ngritën akuzat “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “shpërdorimi i detyrës”.
“Procedimi ka nisur ndaj shtetasit M. L., 34 vjeç, me detyrë inxhinier elektrik pranë OSHEE-së, si dhe ndaj shtetasve K. Ll., 60 vjeç, A. Xh., 62 vjeç dhe E. R., 23 vjeç, me detyrë elektricistë pranë kësaj shoqërie”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore, kurse dosja i kaloi Prokurorisë vendore për hetime të mëtejshme dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
