Një zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj të diele kodrat në zonën e Karinës. Burime për mediat bëjnë me dije se si pasojë e erës flakët janë përhapur deri në territorin e Peqinit dhe në Sinaballaj në bashkinë e Rrogozhinës.
Forcat e zjarrfikësve kanë shkuar me urgjencë ndërkohë që prej orësh po punojnë për neutralizimin e flakëve.
Sipas informacioneve të deritanishme mësohet se flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe kullotë.
Fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkohë që thuhet se në krah të zjarrfikësve kanë shkuar edhe banorët e zonës të cilët po punojnë të gjithë së bashku me qëllim fikjen e zjarrit.
Gjithashtu, në operacion janë angazhuar dy helikopterë të shërbimit zjarrfikës dhe të ushtrisë, të cilët po ndihmojnë nga ajri në përpjekjet për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve.