Elbasan/ Polici “furnizonte” të burgosurit me drogë

Prokuroria e Elbasanit ka zbuluar një skemë të organizuar të futjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike brenda Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Elbasan, ku i përfshirë rezulton një punonjës i policisë së burgjeve.

Sipas hetimeve, punonjësi në fjalë dyshohet se siguronte drogë për të paraburgosurit kundrejt pagesave që varionin nga 100 deri në 200 mijë lekë të vjetra. Aktiviteti i paligjshëm zhvillohej kryesisht gjatë turneve të natës dhe fundjavave, periudha kur në institucion kishte mungesë personeli administrativ.

Dosja hetimore bën me dije se, për të kamufluar veprimtarinë kriminale, i dyshuari gjatë orëve jashtë shërbimit ushtronte aktivitet si shitës ambulant në qytetin e Elbasanit, ku merrte porosi nga familjarë të të paraburgosurve.

Në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët ndërmjetësonin pagesat dhe futjen e lëndës narkotike në institucion, për përfitime personale.

Bazuar në përgjimet telefonike dhe ambientale, vëzhgimet dhe dokumentimin filmik, Prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme për përfshirjen e tyre në veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” si dhe “Futjes së sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve me burg”.

Për të gjithë të dyshuarit është kërkuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.


Shtuar 24.01.2026 16:17