Gazetarja Anila Hoxha, ka zbardhur detaje të reja lidhur me hetimet për ekzekutimin e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, i vrarë mbrëmjen e djeshme në Elbasan. E ftuar në emisionin Top Story, Hoxha deklaroi se autoritetet po shqyrtojnë disa pista paralele, ndërsa një person i identifikuar si Renaldo (Naldo) Gjoni është shoqëruar nga policia.
Sakaq gazetarja bën me dije se makina që u përdor për vrasjen e 43-vjeçarit, rezulton të jetë shitur kohë më parë, ndërsa hetuesit po përqendrohen te personat që e kanë përdorur së fundmi.
Hoxha thekson më tej një detaj tepër të rëndësishëm për të shkuarën e viktimës, ku mësohet se rreth një vit më parë, në banesën e Hykë-s ishte kryer një kontroll policor për dyshime mbi posedim të narkotikëve, gjatë të cilit u sekuestruan një armë zjarri dhe dokumente të falsifikuara. Për ngjarjen u hap një dosje për armëmbajtje pa leje, por çështja më pas u pushua.
Po ashtu, Hoxha shton se vlerësohet se ngjarja mund të ketë lidhje me konfliktet e brendshme ose prapaskena kriminale në zonë. Ndërkohë për viktimën është hapur gjithashtu edhe një procedim pasuror, i cili po vijon paralelisht me hetimin penal për vrasjen.
“Për momentin kemi të shoqëruar Renaldo Gjonin. Ende nuk ka një pistë konkrete për të vendosur gishtin. Renaldo Gjoni është nga Lezha, ka dyshime që u identifikua nga automjeti i djegur. Makina dyshohet se ishte shitur kohë më pare te një person tjetër. Grupi hetimit është fokusuar te përdoruesit e fundit të makinës.
Drejtimi tjetër lidhet e të kaluarën e të ndjerit, që në 2024 u kontrollua edhe banesa për narkotikë, pasi policia dyshonte se i ka zhdukur gjurmët e dozave të drogës në tualet. Është kryer një kontroll ku u gjet një armë dhe dokumente false dhe u ngrit akuza për të ndjerin për armë-mbajtje pa leje.
Nëna pretendonte se i biri nuk kishte dijeni për armën dhe nga kjo çështja u pushua. E treta lidhet me dyshimet dhe aktivitetin e të ndjerit, dhe ka dyshime nga agjentët për aktivitetin e Fajdeve, por edhe kto janë ende dyshime.
Në Elbasan ka grupe kriminale me veprimtari disavjeçare që kanë veprimtari në Amerikën Latine. Qyteti i Elbasanit është në vendin e 2 për shpërndarjen e drogës në qytet, sidomos në lagjen 5 maj. Ka nisur edhe procedim penal pasuror për të ndjerin”, tha gazetarja.

