Me shpresën e identifikimit të autorit të vrasjes së Bujar Nasufit në Tiranë, policia dhe prokuroria e kryeqytetit, ka marrë shtatë profile ADN-je, të cilat tashmë me vendim të prokurorit të dosjes “Nasufi”, janë çuar për ekzaminim në laburatorin biologjik të Policisë së Shtetit.
Kampione djerse dhe pështyme, u janë marë në ambjentet e burgut, 6 personave të arrestuar në një restorant luksoz në Gjirin e Lalëzit, si Xhevdet Plakut, Flobenc Gegës, Fatjon Qesja, Ortjon Hasanit dhe dy vëllezërve Jurgen dhe Voltan Xhani.
Njëherësh profile ADN-je, i është marë dhe nënës së dy vëllezërve Xhani, shtetases Evanthi Xhani.
Të gjitha profilet e mara nga policia, tashmë janë çuar për ekzaminim biologjik dhe krahasues në laboratorin e Policisë Shkencore.
Marja e këtyre 7 profileve është kryer, pasi policia ka ngritur dyshime se njëri nga 6 personat e arrestuar nga policia në Durrës, mund të jetë autori i vrasjes së Bujar Nasufit në muajin Janar 2025 në zonën e Selitës në Tiranë.
Siç ka raportuar edhe më parë “Ora News”, e vetmja provë e vlefshme e policisë në këtë ngjarje të rëndë, është një profil biologjik (Djerse) i fiksuar në një dorashkë, e cila është gjendur gjysëm e djegur në motorin që policia gjeti brenda një tuneli të ushtrisë në zonën e kodrave të Selitës.
Në të njëjtin vend ku u gjend motori i djegur dhe doreza e dorës, policia gjeti dhe armën e krimit një automatik MP-5.
Nga ana tjetër, përmes bashkëshortes së Bujar Nasufit, grupi i hetimit të kësaj çështje ka rënë në dijeni të një konflikti pronësie që ai ka pasur me dy djemtë e Petrit Xhanit, një biznesmen që tashmë ka ndëruar jetë, i cili kishte në pronësi kompaninë e bulmetit “Aleksandri Grup” në Lushjë.
Konflikti mes familjes Xhani dhe vjehrit të Bujar Nasufit, ishte për shpronësimin një banese në zonën e Selitës, të cila u shemb për ti hapur vendin ndërtimit të rrugës së Unazës së re në Tiranë.
Vjehrri i Bujar Nasufit, i ka dorëzuar Petrit Xhanit shumën e lekëve të shpronësimit të shtëpisë së shembur, por jo të truallit ku ishte ndërtuar objekti.
Në total, bëhet fjalë për një sasi prej 40 milion lekësh të vjetra, që janë bërë objekt i debatit mes dy familjeve, që sipas gruas së Bujar Nasufit, mund të jetë bërë shkak dhe në çuarjen e vrasjes së bashkëshortit të saj, i cili ishte përfshirë në debat me dy djemtë e Petrit Xhanit, Voltan dhe Jurgen Xhani.