Këtë të shtunë, Kamber Sulçaj, 48 vjeçari i cili akuzohet si autor i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, ngjarje e ndodhur më 27 Shtator në fshatin Salari të Tepelenës, ka dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Kamber Sulçaj, u vetëdorëzua në polici më 16 Tetor, si autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi.
Prokuroria e Gjirokastrës, ka kërkuar “arrest me burg” për 48-vjeçarin, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes dhe i prishjes së provave.
Seanca po zhvillohet në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, nën masa të rrepta sigurie.
Sipas dosjes hetimore, konflikti mes Sarchit dhe Sulçajt nisi për motive të dobëta, por përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit që i mori jetën 44-vjeçarit italian.
Kamber Sulçaj u vetëdorëzua në polici më 16 tetor, i shoqëruar nga avokati i tij, pas disa javësh në arrati.
Gjatë kontrolleve në zonat malore të Tepelenës, policia kishte zbuluar automjetin dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes, ndërsa në banesat e familjarëve të tij në Vlorë dhe Mesaplik u sekuestruan armë, para dhe prova të tjera materiale.
Vendimi i gjykatës për masën e sigurisë pritet të shpallet në vijim.