Ekzekutimi i 44-vjeçarit italian me armë zjarri në Tepelenë, policia del me njoftim zyrtar

Në orët e para të mëngjesit të sotëm rreth orës 00:30, është vrarë me armë zjarri një shtetas italian në Salari të Tepelenës.

Policia e Tepelenës, ka dhënë një njoftim zyrtar në lidhje me vrasjen e një shtetasi italian në zonën e Salarisë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 00:30 të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur “Dilan”, është gjetur pa shenja jete në rrugë shtetasi italian E. S., 44-vjeç, banues në Tiranë.

Dyshohet se ai është qëlluar me armë zjarri.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet e para hetimore. Po ashtu, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.

Ndërkohë, kontrollet në terren janë shtuar ndjeshëm. Policia, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në Fier dhe Vlorë, po vijon kontrollet në zonë dhe në ambiente të ndryshme që mund të kenë lidhje me ngjarjen, ndërsa janë ngritur postblloqe për të parandaluar largimin e mundshëm të autorit.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka sjellë një reagim të shpejtë të autoriteteve për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të krimit.


Shtuar 27.09.2025 08:00