Ekuacioni i vështirë i Erdoganit brenda NATO-s

Nga Konstantinos Filis “Kathimerini

Përktheu:Alket Goce-AlbEu.com

Samiti i NATO-s në Vilnius është mundësia e parë që Greqia dhe Turqia të rinisin marrëdhëniet dypalëshe midis tyre. Katër vitet e mëparshme ishin shumë të tensionuara, me një rritje të madhe të fluksit të refugjatëve dhe emigrantëve në verën e vitit 2019.

Ato u përkeqësuan edhe më shumë me nënshkrimin e marrëveshjes detare Turqi-Libi (GNA) në nëntor të po atij viti. Kriza arriti kulmin në shkurt-mars 2020, me mbërritjen e mijëra emigrantëve në kufirin grek në Evros, dhe më vonë me shpimet nën det të kryera nga anija turke “Oruc Reis” përgjatë 82 ditëve.

Tensionet u zbutën kur u përkeqësuan edhe marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian por edhe lidhjet e Ankarasë me Uashingtonin pas zgjedhjes president të Joe Biden. Pati një fare qetësie për një pjesë të vitit 2021. Por në nivelin diplomatik Ankaraja i shtoi pretendimet e saj, si me konsolidimin e ideologjisë së “Atdheut Blu” po ashtu edhe me letrën e parë drejtuar Kombeve të Bashkuara, ku e lidhi kërkesën e saj për çmilitarizimin me sovranitetin e ishujve grekë.

Takimi midis presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Stamboll në marsin e vitit 2022 u zhvillua nën një klimë më të mirë. Por moria e shkeljeve dhe fluturimeve të avionëve ushtarakë turq mbi ishujt grekë, që sollën pjesërisht edhe fjalimin e ashpër të Mitsotakis në Kongresin Amerikan, dhe deklarata e mëvonshme e Erdogan se për të Mitsotakis “nuk ekziston më” (Mitsotakis diye biri yok) në maj 2022 i ngriu kontaktet në të gjitha nivelet, duke i çuar marrëdhëniet në një spirale në rënie.

Tashmë sulmet verbale u përshkallëzuan në kërcënime, me deklarata të tipit “Do t’iu sulmojmë papritur një natë”, dhe me një paralajmërim se raketa turke “Typhoon” është në gjendje të godasë Athinën. U deshën tërmetet katastrofike që goditën Turqinë Juglindore për të ndryshuar klimën dhe për të na sjellë në një rekord prej zero fluturime ushtarake në zonë për gati 5 muaj.

Në një deklaratë të ditëve të fundit, Erdogan foli për një rifillim të marrëdhënieve dypalëshe. Dhe e vërteta është se shumica e komenteve të bëra nga ai dhe ministrat e tij të rinj e konfirmojnë këtë ndryshim të qasjes. Por pse po ndodh kjo?

Natyrisht, tërmetet dhe reflekset e shpejta të treguara nga pala greke për t`i ardhur në ndihmë vendit fqinj, e lehtësuan një rishikim të politikës së Ankarasë. Megjithatë, është e qartë se arsyet janë shumë më të thella sesa kaq. Erdogan nisi të kuptonte kufizimet e shtrirjes së tepërt të Turqisë, prandaj u përpoq të mjaftohej me një aleancë të ngushtë me Izraelin dhe Egjiptin. Për më tepër, kriza ekonomike e vendit të tij e detyroi t’i afrohej sërish Perëndimit, sigurisht në mënyrën e tij tipike të pamatur.

Ndërkohë pas pushtimit rus të Ukrainës, dobësimi i pozicionit të Moskës e privoi atë nga një kartë e rëndësishme, të cilën ai e përdorte shpesh kundër Perëndimit. Në Vilnius, Erdogan ose do të kërkojë lajme të mira, për shembull nga takimi i tij me kryeministrin grek, për të zbutur reagimet e shkaktuara nga qëndrimi i tij i palëkundur mbi çështjen e anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Ose do të jetë protagonisti i madh i kësaj ngjarje, duke pranuar hyrjen e Suedisë në aleancë, pasi ka marrë disa garanci shtesë se mund të formulohet një marrëveshje e re dypalëshe. Erdogan filloi të kuptojë kufizimet e shtrirjes së tepërt të Turqisë, kjo është arsyeja pse ai u përpoq të ngrohej me Izraelin dhe Egjiptin, dhe kriza ekonomike e vendit të tij e detyroi atë t’i afrohej Perëndimit.

Në skenarin e parë, presidenti turk duhet të tregojë më shumë kompromis në miratimin e planit të ri të veprimit të NATO-s, i cili bllokohet kryesisht nga mosmarrëveshjet mes Ankarasë dhe Uashingtonit, për të hequr nga vetja reputacionin e “Kalit të Trojës” të Rusisë brenda aleancës, ose për të shfryrë zemërimin e atyre që kanë investuar prej kohësh në këtë samit të veçantë për zgjidhjen e çështjes suedeze.

Njëkohësisht, ai duhet të tregojë gjithashtu se po kthen një faqe në marrëdhëniet greko-turke,  që kanë trazuar jo rrallë ujërat në krahun juglindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në këtë pikë, Erdoganit do t’i duhet të manovrojë me delikatesë, në mënyrë që të mos lëshojë në qëndrimin e tij pa siguruar shpërblime të prekshme (të enjten e kaluar, një gjykatë suedeze dënoi një anëtar të PKK-së dhe ekstradoi njërin prej tyre në Turqi).

Por gjithashtu të mos e dëmtojë afrimin me SHBA-në, ku ndër të tjera përfshihet edhe rindërtimi i ekonomisë dhe modernizimi dhe blerja e avionëve luftarakë F-16. Për këtë të fundit, falë punës shumë të mirë të lobit greko-amerikan, është përfshirë edhe Athina, pasi Kongresi duhet të bindet me prova të prekshme dhe jo thjesht të premtojë se nuk do të kërcënojë Greqinë, për të ndezur dritën jeshile të shitjes së tyre.

Me hyrjen e SHBA-së në një vit zgjedhor pas disa muajsh, Biden do ta ketë të vështirë të injorojë Kongresin për hir të Turqisë. Takimi i parë kokë më kokë midis Erdogan dhe Mitsotakis në 15 muajt e fundit nuk do të jetë vendimtar, por mund të jetë shumë i rëndësishëm.

Së pari, duhet të rivendosen marrëdhëniet personale, duke marrë parasysh efektin katalitik të Erdoganit në politikën e jashtme turke. Së dyti, të dy udhëheqësit mund të kërkojnë rifillimin e disa llojeve të kontakteve, në formën e masave të ndërtimit të besimit, bisedimeve eksploruese dhe një platforme të re.

Së treti, mund të vendoset një afat kohor i ngushtë ose i gjerë për të rivlerësuar situatën, gjë që do të ofrojë një tregues të synimeve të tyre. Gjëja më e rëndësishme në fazën aktuale është konsolidimi i kushteve për de-përshkallëzimin e situatës, për ndërtimin e besimit relativ përmes intensifikimit të kontakteve në të gjitha nivelet, me theks sfidat e përbashkëta (të nivelit të ulët).

Duhet të kemi parasysh se aktiviteti i fluturimeve turke nuk ka gjasa të mbetet në zero përtej verës, por mbi të gjitha është tkurrur hapësira e manovrimit të Erdoganit, sepse ai është tashmë pjesë e ‘shtetit të thellë’ që e ka asimiluar.

Shënim:Konstantinos Filis, drejtor i Institutit të Çështjeve Globale, profesor i asociuar në Kolegjin Amerikan të Greqisë dhe analist i çështjeve ndërkombëtare për Antenna TV. /albeu.com


Shtuar 11.07.2023 12:40