Ekstradohet nga Santo Domingo i shumëkërkuari Soni Pepa, policia “blindon” Rinasin

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, Republika Domenikane, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Punta Cana/Republika Domenikane drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41-vjeç, lindur në Lushnje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi.

Shtetasi Soni Pepa,., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Policia e Shtetit, falenderon autoritetet e Republikës Domenikane dhe autoritetet gjermane për bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 41-vjeçarit në Shqipëri.


Shtuar 7.09.2025 08:55