Bruno Çobo është i shumëkërkuari nga autoritetet shqiptare, i cili u ekstradua sot nga Dubai drejt Shqipërisë.
Ky është ekstradimi i parë që bëhet nga Dubai në vendin. Çobo mbërriti në aeroportin e Rinasit rreth orës 11:00.
Marrëveshja për finalizmin e ekstradimit u arrit falë bashkëpunimit të ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe homologëve të tij në Dubi, të cilët dhanë dritën jeshile për ekstradimin e personave që kërkohen nga drejtësia shqiptare dhe që fshihen prej kohësh në Dubai.
Balla ka reaguar pas mbërritjes së Çobos në atdhe.
“Një përgëzim i meritur për Interpol Tirana Policia e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe për rezultatet e muajve të fundit në gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare. Me ekstradimin e thjeshtuar përmes deportimit, të realizuar sot nga Emiratet e Bashkuara Arabe është hapur një faqe e re e bashkëpunimit, me këtë vend mik dhe partner, në luftën kundër pandëshkueshmërisë”, shkruan Balla.
Por kush është Bruno Çobo, shqiptari i parë që ekstradohet nga Dubai në Shqipëri?
Bruno Çobo akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me 16 persona të tjerë kanë arritur që të mashtrojnë mijëra qytetarë italianë duke përfituar miliona euro.
Rrjeti i mashtruesve ku bënte pjesë Çobo u zbërthye nga autoritete në janar të këtij viti. Grupi i Çobos i ka zhvatur 700 mijë euro, vetëm një italiani nga Pordenone. Ishte pikërisht ky mashtrim që çoi në thellimin e hetimeve ndaj tyre dhe arrestime të bujshme gjatë vitit të shkuar në Tiranë.
SKEMA
Nga hetimet të zhvilluara fillimisht nga Prokuroria e Pordenone, Itali, rezultonte se, Seksioni i Policisë Postare të Pordenone-s, kishte identifikuar se, një grupi kriminal dispononte një call center të vendodhur në Tiranë (Shqipëri), ku përdorte shumë operatorë për të kontaktuar një numër të madh personash banues në Itali.
Personat kontaktoheshin nëpërmjet telefonit, u propozohej blerja on line e aksioneve “Amazon” me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta. Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve.
Në këtë kontekst, viktima shkarkonte sipas udhëzimeve te telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, faktikisht duke i lejuar mashtruesit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të marrë kodet e sigurisë të bankës, duke e lejuar për tu futur direkt në numrat e llogarive bankare.
Të njëjtët mashtrues, me qëllim marrjen e më shumë parave nga “blerësit”, i bënin të besojnë viktimat se për të hyrë në zotërim të shumave shumë të mëdha të fituara nëpërmjet investimit, duhet të paguajnë një lloj takse/komisioni sipas rregullave të prezumuara, të vendosur nga Banka Qëndrore Evropiane duke qenë se Shoqëria e Trading-ut gjendet në Angli, pra jashtë Bashkimit Europian./albeu.com