Ditën e djeshme, Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstradua nga Belgjika.
Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar sqaron se 37-vjeçarit i ishte caktuara masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, ”Organizata kriminale”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Korrupsioni aktiv ne sektorin privat”.
Ai u arrestua në qershor të vitit 2024 nga autoritetet italiane dhe iu dorëzua Belgjikës për një vrasje të ndodhur në Antwerp.
Në Shqipëri ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të SPAK në nëntor 2024, ku u godit organizata kriminale e drejtuar nga vëllai i tij, Suel Çela. SPAK në atë kohë lëshoi 21 urdhër arreste, mes të cilëve edhe Suel Çela.
Mario Çela, sikurse njoftonte Prokuroria e Posaçme, ishte një ndër anëtarët kryesorë të organizatës.
Grupi i Suel Çelës u godit edhe njëherë tjetër, në korrik të vitit të kaluar, nga autoritetet italiane, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, për lokalizimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Belgjikë, gjatë fazës së radhës të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Belgjika, në Shqipëri, të shtetasit:
M. Ç., 37-vjeç, lindur në Elbasan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 22.11.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, ”Organizata kriminale”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Korrupsioni aktiv ne sektorin privat”.
OPERACIONI I SPAK
Organizata kriminale e Suel Çelës u godit nga SPAK në fund të nëntorit 2024. Asokohe u lëshuan 21 urdhër arreste, mes të cilëve Suel dhe Mario Çela, ish shefi i Krimeve të Rënda Dedan Gjoni (i ndodhur në burg për dosjen Metamorfoza) si edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu. Sipas SPAK, organizata vepronte kryesisht në Shqipërinë e Mesme me synim kontrollin e territorit dhe eliminimin e grupeve rivale në Elbasan. Aktiviteti i saj financohej nga trafiku ndërkombëtar i kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së, si Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sipas organit të akuzës, Suel Çela ishte drejtuesi dhe koordinatori kryesor i strukturës, duke menaxhuar aktivitetet kriminale që përfshinin vrasje dhe tentativa për vrasje, trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, veprime korruptive dhe skema të pastrimit të parave.
Hetimet dokumentuan një sërë episodesh të rënda kriminale, përfshirë vrasjen e mbetur në tentativë me snajper ndaj Ardian Çopjas më 8 qershor 2020 në Elbasan. Sipas organit të akuzës, u siguruan kushte dhe mjete materiale për vrasjen e Bledar Muçës në mars 2020, i cili më pas u ekzekutua në Belgjikë në janar 2022 dhe njihej si mik i afërt i Florenc Çapjas, si edhe për vrasjen e Elvis Koçit gjatë vitit 2020, atentat që gjithashtu dështoi.
Po ashtu, u dokumentuan dy tentativa për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Ekuadori drejt Europës, rreth 930 kilogramë në dhjetor 2020 dhe 466 kilogramë me destinacion Holandën në janar 2021. Po ashtu, SPAK e akuzoi organizatën se ushtronte ndikim përmes korrupsionit në polici, sistemin gjyqësor dhe media.
OPERACIONI NË ITALI
Organizata e Suel Çelës u godit edhe në korrik të vitit të kaluar nga autoritetet italiane dhe SPAK, ku u sekuestruan 4 milionë euro pasuri, të ardhura nga trafiku i kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Me vendim të Gjykatës së Veronës, u sekuestruan dy ndërtesa në provincën e Veronës, njëra prej tyre me rreth 30 njësi tregtare, një llogari bankare me rreth 400 mijë euro qira në vit dhe një kompani ndërtimi me 100% të kuotave në Itali. Sipas hetimeve, paratë transferoheshin nga Shqipëria përmes një shoqërie në pronësi të dy vëllezërve Suel dhe Mario Çelës dhe investoheshin në pasuri të paluajtshme, si pjesë e skemës së pastrimit të parave.

