Eksportet fillojnë të ndiejnë krizën, ngadalësohet rritja, tkurren metalet pas mbylljes së Kurum

Pas një rritjeje të fortë, që pas periudhës së pandemisë, eksportet po fillojnë të ndiejnë pasojat e krizës globale dhe kostove të larta të energjisë si dhe ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit nga dy sipërmarrje të mëdha, Kurum dhe Albchrome.

Në shtator, eksportet u rritën me 16.3%, sipas INSTAT, që është zgjerimi më i ulët i këtij viti, ndërsa në gusht shifra ishte +48.1%.

Peshën kryesore në rritjen e eksporteve në shtator e mbajtën tekstilet e këpucët, ndërsa për herë të parë që nga pandemia shënuan tkurrje shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve, që deri tani kishin qenë një nga nxitësit kryesorë të eksporteve.

Sipas INSTAT, Në Shtator 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 39 mld lekë, duke u rritur me 16,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9,5 %, në krahasim me Gusht 2022.

Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 366 mld lekë, duke u rritur me 37,9 %, nga 41% që kishte qenë rritja për 8 mujorin.

Gjatë muajit Shtator 2022, në rritjen e eksporteve prej 16,3 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +5,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +5,2 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,0 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,3 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,01 pikë përqindje.

Për 9 mujorin, Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +10,9 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,6 pikë përqindje.

Fasoni vijon me rritje

Tekstilet dhe këpucët kanë parë rritje të porosive, por problem mbetet fuqia punëtore. Sipas INSTAT, eksportet e Tekstile dhe këpucë, që janë grupi më i madh në vend, me 27% të totalit, u rritën me 19.4% për 9 mujorin, duke ngadalësuar gjithsesi ritmet (zgjerimi ishte 22% me bazë vjetore për 8 mujorin).

Edvin Premçe nga Shoqata e Eksportuesve pohon se ka rritje dhe mendon qe ky trend do jetë në rritje, për tu ndalur më pas në varësi të kostove globale të karburantit, energjisë e ecurisë së luftës në Ukrainë. Ai thotë se ka një rritje për mbushje magazinash nga porositësit por jo se kanë rritje edhe ato në shitje. Sipas tij, frika dhe paqartësia për të ardhmen mund të sjellë nje ngërç dhe ulje të porosive, maksimumi nga janar-shkurti.

Materialet e ndërtimit dhe metale, bien pasi Kurum ndërpreu prodhimin nga energjia e shtrenjtë

Materialet ndërtimit dhe metalet kanë shënuar rënie për herë të parë në gusht, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 5.4%.

Në gusht, Kurum International, një ndër eksportuesit më të mëdhenj njoftoi mbylljen e përkohshme të fabrikës së prodhimit të çelikut për shkak të çmimeve të larta të energjisë. Kompania vijoi eksportet edhe në gusht, pasi kishte stok, ndërsa efekti u ndie në shtator. Çmimi i energjisë i ishte i papërballueshëm për “Kurum”, i cili mbylli përkohësisht prodhimin e çelikut. Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum”, tha më herët për “Monitor” se arsyeja kryesore lidhet me çmimin e shtrenjtë të energjisë, pasi nuk mund të prodhohet çeliku, kur energjia ka arritur 750 euro MWH dhe një ton çelik shitet 700 euro. Sipas tij, me çmimet e hekurit që janë rreth 700 euro, duhet që energjia të zbresë në 200-250 euro/KWH që fabrika të jetë në eficiencë

Për 9 mujorin, ky grup është rritur me 51%, si rrjedhojë e çmimeve të larta që i kanë nxitur eksportet në vlerë.

Ngadalësohen mineralet dhe lëndët djegëse

“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” ngadalësuan ndjeshëm ritmet e rritjes në shtator, duke u zgjeruar me 27.5%. nga mbi 50% muajin e mëparshëm, ndërsa në korrik eksportet e këtij grupi ishin dyfishuar. Për 9 mujorin shitjet u rritën me 58%, nga 62% për 8 mujorin,.

Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i naftës në vend pohon se rritja e eksporteve të tij ka ardhur si rrjedhojë e çmimit më të lartë, ndërsa në sasi pothuajse nuk kanë ndryshuar.

Një nga eksportuesit më të mëdhenj të mineraleve Albchrome pothuajse ka ndalur aktivitetin në shtator. Kompania zotëron 4 furra prodhimi në uzinat në Elbasan dhe Burrel ku vetëm njëra prej tyre vijon punën. Nuk dihet ende edhe për sa kohë do të vijojë aktivitetin furra e fundit.

Kompania pohoi për “Monitor” se mbyllja përkohësisht e prodhimit është ndikuar nga shtrenjtimi i lartë i çmimit të energjisë dhe rënia e kërkesës për ferrokrom nga fabrikat e çelikut në Europë dhe botë. Çmimi i energjisë për këtë kompani është rritur në nivele të frikshme. Çmimi ka qenë rreth 60 euro/MWh dhe para pak ditë më parë shkoi deri në 1,000 euro/MWh.

Ushqimet dhe pijet rritje e ngadaltë

Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 15% për 9 mujorin, nga 20% në 5-mujor.

Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes, për shkak të bazës së ulet eksporteve dhe rritjes së prodhimit në sera. Bujqit në zonën e Myzeqesë pohojnë se këtë vit çmimet e eksporteve ishin më të larta, por sasia ka qenë e ulët për shkak se një pjesë e serave nuk u mbollën nga çmimet e larta të inputeve.

Makineritë e pajisjet në rritje pas shtimit të numrit të fabrikave, por…

Makineritë e pajisjet kanë shënuar ecuri pozitive duke u zgjerua me  37% për 9 mujorin. Ky grup është nxitur vitet e fundit nga ngritja e fabrikave që montojnë pjesë elektrike për automjetet. Por edhe ky sektor po vuan mungesën e fuqisë punëtore dhe shtrenjtimin e kostove të energjisë dhe nuk ëhstë shumë optimist për ecurinë në muajt në vijim.


Thellohet deficiti

Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 366 mld lekë, duke u rritur me 37,9 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 695 mld lekë, duke u rritur me 25,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 329 mld lekë, duke u rritur me 13,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

Rriten eksportet me Italinë, bien me Kosovën

Sipas INSTAT, Në muajin Shtator 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shtator 2021 janë: Itali (16,8 %), Gjermani (110,5 %) dhe Maqedoni (30,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (24,8 %) ,Spanja (1,6 %) dhe Greqia (26,5 %).

Gjatë këtij nëntëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (45,0 %), Kosova (1,8 %) dhe Gjermania (79,2 %). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (15,4 %) .

Në muajin Shtator 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Shtator 2021 janë: Italia (7,5 %), Turqia (102,4 %) dhe Greqia (32,4 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (21,6 %), Rusia (28,7 %) dhe SHBA (29,3 %).

Gjatë këtij nëntëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,4 %), Turqia (41,8 %) dhe Greqia (33,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (17,4 %), Rusia (19,6 %) dhe Zvicra (27,7 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58,4 %, të gjithë tregtisë. Në Shtator 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,3 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (26,4 %), Turqia (10,7 %), Gjermania (8,3 %) dhe Greqia (7,8 %).

Shkëmbimet tregtare, për nëntëmujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 59,5 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Shtator 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,1 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,4 %), Turqia (8,4 %), Greqia (7,2 %) dhe Gjermania (6,6 %) . /Monitor

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT


Shtuar 18.10.2022 08:12