Eksperti plas “bombën”: Ka agjentë të BKH që u japin informacione personave nën hetim

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuços kërkon që hetimet e drejtësisë të shtrihen edhe drejt biznesmenëve, jo vetëm politikanëve.

Duhet hetim për aksionet “aksionerët e çuditshëm”, shprehet Karamuço.

“Ne kemi biznesin me probleme të mëdha. Për shkak të politikës aktuale, por edhe asaj të kaluarës, këta gjejnë shesh dhe bëjnë përshesh. Këto janë probleme jashtëzakonisht të mëdha kur ne flasim pastaj për ryshfete, jo nuk ka ryshfete. Në të gjitha korrupsionet që janë bërë në këto 30 vite, sidomos në 20 vitet e fundit, nuk ka pasur ryshfet me para. Ka pasur aksione, unë të jap këtë mundësi, ti do ma përkthesh me aksion. Nuk ka më lekë, ndonjë udhëtim ndoshta.

Dhe ajo që kërkohet sot, te secila nga ato kompani, është të shikohet ku janë aksionet. Pse kanë dalë disa emra aksionerë, njerëz të çuditshëm. Emra që nuk kanë pasur asnjë lloj ‘background’ nga bota e biznesit. Çfarë janë këta? Këta duhet të trajtojë SPAK”, tha Karamuço.

Ai tha në Top Story se ka prokurorë të Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion që kanë probleme me integritetin.

Dhe SPAK-u ka problemet e veta. Brenda SPAK-ut ka përplasje, ka dyshime për mungesë integriteti të disa prokurorëve. Para disa ditësh, doli një lajm, që unë prisja një përgënjeshtrim të nga drejtuesi i SPAK-ut që asnjë person nga BKH-ja, edhe nga Prokuroria e Posaçme, nuk ka ngrënë drekë me askënd. Nuk doli ta thoshte”, tha eksperti.

Karamuço shkoi më tej kur tha se prokurorë të Byrosë Kombëtare të Hetimit komunikojnë me personat nën hetim.

BKH-ja është në performancë të jashtëzakonshme. Ama ka disa që kur të marrin në pyetje, atë deklaratë që ti ke bërë, e fotografon dhe ia çon personit që është në hetim. Kjo është shumë e rëndë. Janë kryer hetime për këtë në disa raste. Këto duhet të minimizohen urgjentisht sepse po u humb kredibiliteti i SPAK, atëherë do të fillojmë të tallemi të gjithë, që nga politikanët të parët”, theksoi eksperti.


Shtuar 11.09.2023 23:28