VIDEO/ Egnatia shkruan historinë, fiton për herë të parë Kupën e Shqipërisë, Tirana del duarbosh nga “Elbasan Arena”

Egnatia shkruan historinë në futbollin shqiptar, teksa fitoi për herë të parë Kupën e Shqipërisë, pas triumfit 0-1 në finalen e luajtur në “Elbasan Arena” ndaj Tiranës.

Kërcënimi i parë serioz i takoi bardhebluve. Hila gaboi para portës në minutën e 13-të, duke shpërdoruar një rast ideal.

Në minutën e 22-të, Berisha provoi të shënonte me kokë, por e menjëhershme ishte kundërpërgjigja e portierit Sherri.

Skuadra e Orges Shehit mbeti me një lojtar më pak (24’), pas daljes me karton të kuq të Berishës, i cili bëri një ndërhyerje të ashpër ndaj Jackson.

Në inferioritet numerik Tirana e pati të vështirë të dilte në lojën e vet, ndërsa ekipi nga Rrogozhina filloi të fitonte terren.

Në fillimin e pjesës së dytë Egnatia iu afrua golit të avantazhit me Jackson, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Në të 78-tën, Dwamena “tundi rrjetën”, goli u anulua për pozicion të parregullt. Koha e rregullt nuk prodhoi fitues, me skuadrat që iu drejtuan kohës shtesë.

Goli i vetëm dhe vendimtar i takimit erdhi në minutën e 114-të nga Jackson, teksa gaboi nga pika e bardhë e penalltisë por u tregua i saktë pas topit të kthyer nga Lika. 11 metërshi u shkaktua pas një ndërhyrje të Hilaj ndaj Paulauskas.

Kështu, Egnatia fiton për herë të parë Kupën, sakaq zhgënjimi është i madh te Tirana, pas këtij dështimi.


Shtuar 1.06.2023 21:44

Tags: