Efektivi shtyu gazetaren drejt greminës, reagon Bledi Çuçi: E shëmtuar, mos heshtni!

Pas publikimit të rastit të djeshëm kur një efektiv policie ka shtyrë gazetaren Anila Hoxha drejt greminës, ka ardhur edhe reagimi i Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Çuçi thotë se ky është një rast i shëmtuar dhe sipas tij raste të tilla duhen ndëshkuar.

“Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht. I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu”, shkruan ai./albeu.com/


Shtuar 7.11.2021 09:37