Edukimi mediatik duhet të shtrihet edhe në universitete sipas ekspertëve të medias dhe arsimit

Barometri i Ballkanit 2020 tregon se interneti përdoret gjerësisht për qëllime komunikimi me përhapje të shpejtë në mediat sociale (69%) ndërsa më pak e popullarizuar për edukim (30%) dhe për blerje online (22%). Edhe pse ka pra një prirje të qartë për të përdorur internetin dhe rrjetet sociale për qëllime informimi, aftësia e popullsisë për të gjykuar në mënyrë kritike burimet dhe përmbajtjen mediatike mbetet ende e kufizuar.

Kështu mund të lexohet renditja e ulët e Shqipërisë në Media Literacy Index për vitin 2020 (bashkë me Bosnjën, Maqedoninë e Veriut, Turqinë dhe Malin e Zi) për mungesën e kompetencës për të gjykuar me filtrat e duhur analitikë në epokën e lajmit të rremë dhe post-të vërtetës.

Megjithatë në Shqipëri edukimi për median mbetet ende një koncept i pastudiuar gjerësisht, prandaj nuk mund të flasim për politika zyrtare të implementuara në këtë fushë.

Prandaj aftësimi i të rinjve për të dalluar informacionet e vlefshme në internet, për të përfshirë në mënyrë kritike mediat e reja në procesin e të nxënit mbetet prioritar. Por, pa mësuesit i gjithë ky proces do të jetë i vështirë. Janë ata të parët që duhet të zotërojnë teknikat dhe mjetet e EMI-t përpara se t’ua mësojnë nxënësve.

Këto ishin disa nga përfundimet e një tryeze diskutimi mes ekspertëve të arsimit dhe medias të zhvilluar nga Instituti Shqiptar i Medias. Gjatë takimit u theksua se për ta përdorur internetin në mënyrë sa më efikase nevojiten sidoqoftë disa aftësi dhe mekanizma reflektues për t‘i përdorur burimet e mediave (online) në mënyrë kritike, dhe këto kompetenca përfshihen kryesisht te edukimi mbi median dhe informacionin (EMI). Duke pasur parasysh ndryshimet në peizazhin e mediave dixhitale që kanë bërë të mundur përhapjen në masë të lajmeve të rreme, disa ndryshime në konceptin tonë të EMI-t janë mëse të nevojshme: Tani kërkohet më shumë aftësi dhe kujdes në mënyrën e të lexuarit kritik të përmbajtjeve në internet.

Më konkretisht gjatë takimit u sugjerua që edukimi mediatik duhet të jetë një pjesë e detyrueshme e studimeve për mësuesi dhe pedagogji dhe të asistohet nga staf i kualifikuar në teorinë, kërkimin shkencor dhe praktikën e medias. Po kështu, kompetenca për edukimin mediatik duhet të jetë një komponent i rëndësishëm në vlerësimin me notë përmbyllëse të studimeve, që do të rriste edhe autoritetin e studimeve universitare të fushës. Temat që lidhen me median, proceset e zhvillimit të saj, dhe sfidat në shoqërinë digjitale duhet të plotësojnë edukimin në lëndën e detyrueshme të EMI-t.

Po kështu, kompetenca për edukimin mediatik mund të ishin të nevojshme dhe të aplikoheshin në degë të ndryshme, si shkencat pedagogjike, didaktika mësimore, gazetari dhe komunikim, sociologji, psikologji, apo dhe degë të profilit juridik. Diskutime konrete për temëndo të vazhdojnë në takime të tjera me ekspertë të fushës.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadrin e projektit “Media për Qytetarët – Qytetarët për Median,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe organizatat partnere, me ndihmën financiare të Bashkimit Europian.


Shtuar 16.04.2021 22:48