Edmond Spaho: Rama është më i shqetësuar për “hallet e ndërkombëtarëve”, se për shqiptarët

Ashtu siç pritej, ka nisur dita e dytë e seancës plenare maratonë, që shënon edhe mbylljen e këtij sesioni parlamentar. Teksa seanca e djeshme u shoqërua me debate të ashpra mes palëve, për raportimin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ditën e sotme pritet të votohet drafti i dakordësuar për Reformën Zgjedhore.

Sot po ashtu, në rend dite është parashikuar që të miratohet ligji i ri për ‘Policinë e Shtetit’, si dhe ligji për ‘Prodhimin e Armëve’.

Në rend dite pritet të miratohet edhe raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor për të dhënat TIMS.

Deputeti demokrat Edmond Spaho, ka kërkuar sqarim sot në Kuvend për mozprezencën e kryeministrit në sallë.

Ai u shpreh se Rama është më i shqetësuar për “hallet e ndërkombëtarëve” se për shqiptarët.

“Sot është seanca e fundit për këtë sezon parlamentar. Që nga Janari e deri më sot, nuk di a ka pasur ndonjë seancë ku kryeministri ka qenë prezent. Ai është më i shqetësuar për udhëheqjen globale dhe hallet e popullit ndërkombëtar. Pasi mbaroi me refugjatët e Melonit u hodh te ato të Anglisë, tani të kujdeset pak për refugjatët këtu se jemi kthyer në popull refugjatësh. Të vijë së paku në ditën e fundit në Kuvend se ai edhe kur vjen në Shqipëri, ia mbath në ndonjë kullë. Është bërë si ai që i këndojnë ku leh qen e ku del tym, e ku bën daullja bym, aty është Edi Rama”, tha Spaho.


Shtuar 26.07.2024 12:12