LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë komentuar takimin e nesërm të kryeministrit shqiptar, Edi Rama me liderët e partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
VMRO-DPMNE përmes një komunikate ka thumbuar edhe takimin e Tiranës, duke shkruar ndër të tjera: Është e çuditshme që vetëm LSDM nuk është kundër këtij takimi ku për çështjet maqedonase po koordinohen në Tiranë.
Siç duket Aliu do ta mësojë Tiranën për agjendën e gjelbër ose Tirana do të përgatisë një platformë të dytë të cilën më pas Aliu do t’ia jap Kovaçevskit? Marrëveshja e vetme që duhet të jetë është bashkimi kundër krimit dhe marrëveshje për zgjedhje që populli të mund të vendos”, thuhet në komunikatën e partisë më të madhe opozitare nga VMRO-DPMNE.
Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski sot i është shmangur komentimit të takimit të dytë të Tiranës. Por nga partia e tij kanë theksuar se takimi nuk mund të konsiderohet si problematik por në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian, raporton Alsat.
“Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë dhe i popullit maqedonas, Shqipëria është vendi ynë mik me të cilin ecim së bashku në rrugën evropiane dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, jemi bashkë në aleancën e NATO-s, nuk kemi çështje të hapura dhe bashkëpunimi ekonomik është në nivelin më të lartë përmes nismës Ballkani i Hapur. Çdo takim, formal apo joformal, që është në interes të dy vendeve dhe të dy popujve është për ne në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian”, thonë nga LSDM.
Nga ana tjetër, partitë tjera politike maqedonase kanë reaguar me komente të ndryshme lidhur me takimin e nesërm të Ramës me krerët e partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut.