Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, mori pjesë në prezantimin e raportit të OECD për rezultatet e TALIS, Anketës Ndërkombëtare të Mësimdhënies dhe të Nxënit, ku Shqipëria renditet ndër vendet e para.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se rezultatet e këtij raporti janë shumë domethënëse dhe tregojnë përkushtimin e mësuesve shqiptarë ndaj profesionit.
“Kemi dalë me një rezultat domethënës dhe pozitiv në këtë anketë, duke u rreshtuar përkrah vendeve që nuk janë aspak të dorës së dytë”, tha ai.
Rama vlerësoi faktin se, sipas anketës, 85% e mësuesve shqiptarë e kanë zgjedhur mësimdhënien si një thirrje personale dhe si profesion të mirëfilltë, duke e konsideruar këtë si një tregues të qartë të pasionit dhe përkushtimit të tyre.
“Ndihemi krenarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë”, theksoi Kryeministri.
Duke folur për sfidat që ka arsimi sot, ai u ndal te rëndësia e mbështetjes së mësuesve të rinj, uljes së ngarkesës së tyre të punës dhe integrimit të teknologjive të reja si inteligjenca artificiale në procesin mësimor.
Megjithatë, raporti ka evidentuar edhe një shqetësim që, sipas Ramës, autoritetet e njohin dhe janë të përgatitura për ta adresuar:
“Një pjesë e mësuesve të rinj, veçanërisht ata nën 30 vjeç, kanë raportuar se mund ta braktisin profesionin nëse nuk ndihen të mbështetur dhe të motivuar mjaftueshëm”.
Kryeministri bëri thirrje për veprim të përbashkët për të përmirësuar kushtet e punës për mësuesit dhe për të ruajtur e forcuar cilësinë e mësimdhënies në Shqipëri.
 
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
						 
						