Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së, u shpreh se SPAK krenaria e vetme deri më sot e zbatimit të reformës në Drejtësi.
Rama theksoi gjatë fjalës së tij se GJKKO nuk po del ende nga hija e SPAK-ut duke shtuar se “ato dy institucione na kanë dhënë publikisht në më shumë se një rast edhe arsye për tu habitur por edhe arsye për tu shqetësuar shumë seriozisht”.
Edi Rama: Prokurorë e gjykatës jo pak dritëshkurtër, mendje ngushtë dhe nganjëherë me mungesë lemeritëse integriteti, të cilët e bëjnë të bardhën të zezë, ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemit reagon sikur fle në këmbë.
Individë që paguhen nga taksat tona ku e ku më shumë se sa mësuesit, apo se sa mjekët e infermierët e përdorin pavarësinë e tyre për të goditur interesat e shtetit, vetë familje të një lagje të tërë banimi të zë lemeria nga shfaqja e drejtësisë së vjetër me fytyrë të re.
Dhe në këtë pikë e vërteta e madhe është se nuk bëjnë përjashtim as vetë SPAK, krenaria e vetme deri më sot e zbatimit të reformës në Drejtësi dhe as GJKKO, jo se jo, e cila nuk po del ende nga hija e SPAK-ut, edhe ato dy institucione na dhënë publikisht në më shumë se një rast edhe arsye për tu habitur por edhe arsye për tu shqetësuar shumë seriozisht.
Mosrespektimi i prezumimit të pafajësisë, intimidimi i personave të ashtuquajtur në dijeni, paraburgimi si presion publik e juridik, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve me qëllim për të linçuar në Pazar fatin e personave të hetuar, marrja forcërisht e rolit të institucionit tjetër ligjzbatues nga prokurorë, apo dalja e gjykatësve nga roli i garancisë së barazisë para ligjit, për të marrë rolin e noterit të prokurorëve ose të superprokurorit janë shenjat e sëmundjeve të trashëguara nga trupi i kalbur i drejtësisë së vjetër 100 e ca vjeçare, tek organizmi fëminor i drejtësisë së re 7 vjeçare.
Por kujdes, kura për këto sëmundje nuk është kthimi kurrsesi mbrapa nga pavarësimi i drejtësisë, në asnjë mënyrë.