“Edi Rama sfidon dhe poshtëron shqiptarët duke nxjerrë Lubinë”, Berisha para Kryeministrisë: Më 24 Janar t’i japim mesazhin e qartë, hiq dorë nga grushti i shtetit

Nga para Kryeministrisë, ku u mbajt Foltorja e radhës, Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ftoi qytetarët që të bëhen bashkë më 24 janar, kur ka thirrur protestën kombëtare, për të kërkuar largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij, ai tha se kreu i qeverisë po i poshtëron përditë shqiptarët duke u nxjerrë përpara zëvendës kryeministren e pandehur, Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si “maskën e tij”. Kryedemokrati u shpreh se mesazhi më 24 janar duhet të jetë i qartë: të heqë dorë nga grushti i shtetit, referuar mbrojtjes që po i bën Rama Ballukut.

“Edi Rama ndërkohë që shqiptarët janë të vendosur t’i japin ndëshkimin e merituar, po ecën drejt grushtit të shtetit. Po ecën drejt bllokimit të sistemit të drejtësisë. Ai, një një akt të papërgjegjshëm, sfidon dhe poshtëron shqiptarët çdo ditë, duke u nxjerrë maskën e tij, Lubi Ballukun, për t’u thënë atyre që ne as që pyesim për ju. Po ja ku do i themi ne në emër tuaj, edhe ne në mënyrë absolute nuk do pyesim për ju, dhe do kesh fatin që meriton.

Opozita shqiptare ka vendosur të thërrasë një protestë me datën 24 janar, në të cilën të japim mesazhet e qarta, përfundimtare Edi Ramës. Hiq dorë nga grushti i shtetit, prano ligji dhe Kushtetutën, përndryshe do të nxjerrim ne jashtë ligjit, jashtë Kushtetutës.Ndaj dhe me 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, vetëm një front i vërtetë opozitar me qytetarët, mund të përmbysë regjimin e Ramës.

“Të bëjmë gjithçka për një front të vërtetë opozitar, i cili të përmbysë diktaturën e autokratit, e kleptokratit, Edi Rama, narkodiktatorit të parë dhe të vetëm në Europë. I bëj thirrje të rinjve të ngrihen në lartësinë e misionit të shenjtë, hyjnor. Gjenerata e tyre është gjenerata e misioneve të mëdha. Gjenerata e tyre po përbys diktatura dhe epoka. Ndaj dhe ftoj çdo të ri të këtij vendi të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij dhe me guximin, energjinë të bëjë çdo gjë për largimin e këtij regjimi armiqësor ndaj shqiptarëve.”, shtoi kryedemokrati.


Shtuar 12.01.2026 18:58