Edi Rama: Policia po heton kush është pas “pushtimit” të zemrës së Thethit, presim vendimin e KLP për prokuroren Elsa Gjelin

Këtë të hënë, kryeministri Edi Rama, po zhvillon një takim me deputetët e qarkut të Tiranës dhe drejtorët e Bashkive,

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal tek Thethi ajo që po ndodh atje me ndërtimet pa leje.

“Përpara se të hyj në disa detaje mbi punën, dua të ndalem një moment te çështja e Thethit.
Kam vënë re që ka një teori shumë për të ardhur keq lidhur me përgjegjësinë, fajin, kush e ka fajin. Duket sikur një pjesë e atyre që komentojnë përpiqen që t’ia lënë fajin strukturave të shtetit. Nga një anë kemi disa njerëz të shlretë të cilët kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar disa banesa, dhe një shtet që i ka lënë ta bëjnë këtë në shkelje të ligjit dhe është kujtuar më tej t’i godasë.

Këtu nuk bëhet fjalë për disa të shkretë por individë që nuk janë banorë të vendit, madje në rastin flagrant që u bë dhe shkak i këtij procesi, bëhet fjalë për individë që as nuk janë shfaqur të pretendojnë diçka, Policia po merret me hetimin e se si ka ndodhur dhe kush është pas pushtimit kriminal të qendrës dhe zemrës së Thethit.

Janë ndërtime jo për të futur kokën, por për qëllime fitimi. Nuk besoj se ka një teori për amnistimin e shkelësit të ligjit dhe fajësimin e shtetit. Natyrisht që strukturat kanë përgjegjësinë e tyre dhe e kanë marrë këtë përgjegjësi.

Pritet vendimi i KLP për zonjën Gjeli që nuk ka nisur çështjen. Në Theth janë goditur 40 subjekte, që në shumë raste kishin më shumë se një ndërtesë. Policia ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh në prokurori për të subjekte dhe prokuroria nuk ka marrë asnjë veprim”, tha ai.


Shtuar 14.07.2025 09:14