Kryeministri Edi Rama mori pjesë në panelin e organizuar nga Chatham House në Londër me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”. Në panel ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, dhe përfaqësuesja e Britanisë për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Diskutimi u moderua nga gazetarja Yalda Hakim.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi kompleksitetin e procesit të integrimit europian, duke e cilësuar si një kombinim mes kërkesave teknike dhe vullnetit politik. Ai vuri në dukje se, pavarësisht përmbushjes së kritereve teknike, mbështetja politike nga vendet anëtare të BE-së jo gjithmonë është e garantuar.
Rama u ndal edhe te perceptimi i vendeve të Ballkanit, duke kërkuar që të shmanget etiketimi i tyre si “më të dobëtit” apo “në fund të garës”, pasi sipas tij çdo vend ka ciklet e veta dhe duhet të vlerësohet në bazë të progresit konkret.
“Gjithësecili bën atë çfarë duhet të bëjë, pastaj disa të tjerë janë më të mirë pozicionuar në një moment të caktuar në kohë dhe disa të tjerë në një pozitë jo kaq të mirë, por gjërat ndryshojnë. Çdo vend duhet të ketë mundësinë të përmirësohet pa u etiketuar si në fund të garës apo në fillim të garës”, tha Rama, teksa më tej vendosi theksin edhe te ndryshimi që Britania e Madhe ka pësuar pas shkëputjes së saj nga Bashkimi Europian.
Ndër të tjera Rama komentoi edhe qasjen mbi emigracionin dhe mënyrën se si shqiptarët janë portretizuar nga politikanët britanikë.
Sipas Ramës, emigracioni është përdorur shpesh si një “kokë turku” për dështime të brendshme politike, duke shtuar se emigrantët shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në shumë sektorë të jetës në Mbretërinë e Bashkuar.
“Më kujtohet ajo që u quajt referendumi i largimit…Shqipëria është bërë një temë edhe më e madhe, por problemi nuk janë shqiptarët apo emigrantët. Por problemi është ku të gjejmë kokën e turkut për këtë vendim katastrofik të largimit nga Europa. Mua më vjen keq, që kur dikush që quhej Suela, një tjetër qeveri që piketoi shqiptarët, “thjesht mbaje mend mos u merr me shqiptarët, sepse nëse të mallkojnë shqiptarët zhdukesh.” Këtu gjeta gazetarë që flisnin për të…Nëse i nxjerr nga vendi, kush do t’i bëjë këto punë…Cilët janë ata britanikë që do vijnë të kujdesen për kopshtet tuaja kaq të bukura. Edhe emigracioni është një kokë turku…Sigurisht ka problemin e paligjshmërisë, emigrantë të parregullt….”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Procesi është binar, nga njëra anë është tërësisht teknik dhe nga ana tjetër, politik. Por një gjë është e qartë, nuk mund të kesh asnjë mbështetje politike nëse nuk përmbush aspekte teknike të procesit në çdo fazë, por mund të plotësosh të gjitha aspektet dhe sërish mund të kesh mungesë mbështetje. Nuk po jepnin rezultate pasi Europa është paciente me 27 doktorë, ishin 28 por njëri u çmend dhe u desh të shkonte të merrte një kurë. Ne për disa herë me radhë kishim disa doktorë që nuk na lanë të merrnim hapa të mëtejshëm.
Disa vjet më parë ishim tjetërsoj. Ndërkohë tani na thuhet se jemi parendës dhe u them mos e thoni më këtë sepse ndez një lloj mërie te të tjerët. Gjithësecili bën atë çfarë duhet të bëjë, pastaj disa të tjerë janë më të mirë pozicionuar në një moment të caktuar në kohë dhe disa të tjerë në një pozitë jo kaq të mirë, por gjërat ndryshojnë. Çdo vend duhet të ketë mundësinë të përmirësohet pa u etiketuar si në fund të garës apo në fillim të garës.
Kur bëhet fjalë për pakënaqësinë, sigurisht jemi ballkanas. Pa xhelozinë pa mërinë ndaj njëri tjetrit pa gjykimin e suksesit të tjetrit nuk do ishim këta që jemi. Por lajmi i mirë është se nuk jemi vetë në këtë botë, njëherë e një kohë ishim ne ata që luftonim përçamin që nuk gjenim kurrë rrugë për kompromis, kurse tani kudo është kështu.
Tani klubi ballkanas është bërë kaq i madh dhe ballkanizimi i politikës britanike, franceze e politikave të tjera është tashmë një fakt. Është një ballkanizim kaq i madh sa na duket vetja të rriturit në dhomë kur shohim të tjerët që grinden dhe kanë pikëpamje të ndryshme edhe për varka. Disa i quajnë varka të vogla, disa varka të ndarjes Madje ju pyesin pse u shkëputët nga Europa? Donit më shumë varka? Keni më pak varka, donit më shumë investime? Keni më pak investime, donit të ishit më shumë të lumtur, tani jeni më të depresionuar. Që kështu mirë se erdhët në klubin e Ballkanit.