Kryeministri, njëherazi edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi pikat kyçe të projekt-buxhetit 2026 për sektorin e shëndetësisë.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama tha se; “lufta me kancerin dhe shëndetësia në Projekt-Buxhetin 2026, do jenë një kapitull i ri angazhimesh në respekt të 83 mandateve që na janë besuar, si një detyrim madhor i PS-së”.
Rama thekson se buxheti i shëndetësisë 2026, është në vlerën e mbi 1 miliard eurove për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, duke u përllogaritur si afro 4% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.
“Për herë të parë, hapim një linjë financimi nga Buxheti i Shtetit vetëm për këtë nevojë jetike duke futur 15 milionë euro ekstra në shërbim të pacientëve të Onkologjikut. Për herë të parë shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do të jepet i plotë për të gjitha dhe falas. Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë e shpallur së fundmi ndër 100 gratë më influente në mjekësinë botërore për çështjen e kancerit do të udhëheqë projektin kombëtar të ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve për Shqipërinë 2030. Një institucion i ri ekselence, i cili do t’i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të instituteve që luftojnë me kancerin”, tha Kreu i Ekzekutivit.
Rama u shpreh se; “4600 mjekë, infermierë dhe farmacistë si edhe 14 200 teknikë dhe laborantë do të përfitojnë një rritje të re pagash çka është një mesazh i qartë për gjeneratën e re të bluzave të bardha, se në Shqipëri qëndrohet dhe punohet me dinjitet”.
“Shqipëria 2030 do të bëhet vendi ku ikja do të jetë thjesht zgjedhje individuale, jo imponim nga pamundësia për të qëndruar dhe punuar këtu”, u shpreh Kryeministri Rama.
