Mesditën e kësaj të enjte Këshilli i Ministrave mbajti mbledhjen e parë për këtë mandat të ri qeveritar. Gjatë mbledhjes së drejtuar nga kryeministri Edi Rama u shkarkua nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërkohë që u bënë dhe disa ndryshime në ministri.
Edona Bilali është emëruar zv. ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Silva Caka do të jetë zv. ministre e Punëve të Brendshme, Eugena Tomini është emëruar zv. ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Socialistte, ndërkohë që është liruar nga kjo detyrë Mira Kapisyzi.
Po ashtu nga detyra e zv. ministrit është liruar edhe Andi Mahila, shkarkimi i të cilit erdhi pasi u fotografua duke konsumuar cigare në një ambient të mbyllur.
Po ashtu gjatë kësaj mbledhje qeveria miratoi ndërtimin e një centrali fotovolatik 30 MW në Ersekë. Ky investim pritet të realizohet brenda 36 muajve dhe centrali do të ketë një afat operimi 49-vjeçar. Shoqëria ka detyrimin të raportojë çdo tre muaj mbi ecurinë e punimeve, të respektojë kushtet mjedisore dhe të dorëzojë sigurimin e kontratës në masën 5% të investimit.
Gjithashtu Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen e garancisë ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës së Tiranës për kontratën e kredisë në vlerën 20 milionë euro, e lidhur me Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), OSHEE Group, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Furnizuesin e Tregut të Lirë (FTL).
Gjatë kësaj mbledhje qeveria përcaktoi edhe fushën e përgjegjësisë së Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ministri do të jetë përgjegjës për drejtimin dhe koordinimin e reformës në administratën publike, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe sistemin e pagave, si dhe për hartimin e politikave dhe akteve ligjore në luftën kundër korrupsionit.
Ndër të tjera, u përcaktua edhe fusha e përgjegjësisë së Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatorit, i cili do të drejtojë teknikisht negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të bashkërendojë procesin e brendshëm të përgatitjeve për integrimin.
Ministri është përgjegjës për koordinimin e punës së grupit negociator, përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, ndjekjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian, hartimin e Planit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale. Ai gjithashtu ka detyrë të nxisë nisma për integrimin e përshpejtuar dhe të garantojë informimin e publikut mbi procesin e anëtarësimit.