Gjatë një takimi me krerët e bashkive, kryeministri Edi Rama, ka propozuar krijimin e një operatori kombëtar për shpërndarjen e ujit, të ngjashëm me modelin e përdorur në sektorin e energjisë.
Rama theksoi gjithashtu se, është koha për konsolidimin e këtij shërbimi në një strukturë të centralizuar, duke denoncuar abuzimet e ndodhura në nivel lokal.
“Është koha për një operator kombëtar të shpërndarjes së ujit, njësoj siç kemi për energjinë. Mund të përfytyroni një zyrë drejtori të një ujësjellësi me 30 këshilltarë staf, këshilltarë, sekretarë? Nuk ka zyra ime as çerekun, as zyrat tuaja. Ndodhte në UKT Tiranë”, u shpreh kryeministri.
Ai i cilësoi këto raste si “çudira”, duke shtuar se edhe pse situata ka ndryshuar në krahasim me të kaluarën, problematikat mbeten të shumta për një vend si Shqipëria që nuk ka luksin të vonojë reformat.
Rama theksoi se, ashtu si në sektorin e energjisë, ku ndërmarrjet dikur humbëse janë transformuar në struktura të qëndrueshme financiarisht që bashkëpunojnë me bankat, edhe sektori i ujit duhet të ndjekë të njëjtin model për t’u bërë më efikas dhe i qëndrueshëm.
Edi Rama: Te gjitha llojet e eksperiencave, kalkulimeve na nxjerrin në konkluzionin që është koha për një operator kombëtar të shpërndarjes së ujit, njëjte siç kemi për energjinë. Mund të përfytyroni një zyrë drejtori të një ujësjellësi me 30 këshilltarë staf, këshilltarë sekretarë? Nuk ka zyra ime as çerekun, as zyrat tuaja. Ndodhte në UKT Tiranë. Çudira ka pasur shumë, ka më pak në tërësi por ka tepër për një vend si Shqipëria që nuk ka luksin të presë. Duhet të konsolidojmë këtë strukturë, duhet të ndërtojmë një tjetër ndërmarrje si ajo që kemi në fushën e energjisë, që nga gropat më të mëdha thithëse të buxhetit janë kthyer në ndërmarrje që janë në gjendje të hyjnë në marrëdhënie me bankat.
Departamentet e bujqësisë
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër bashkitë dhe kryetarët e tyre për mungesën e angazhimit konkret në zhvillimin ekonomik të zonave rurale, veçanërisht në sektorin e bujqësisë.
Gjatë një aktiviteti publik, Rama theksoi se bashkitë po mbeten pas në krijimin e ndërmarrjeve fitimprurëse dhe po trajtojnë rolin e tyre ende me logjikën komunale.
Sipas Ramës, edhe pas Reformës Territoriale, ku bashkitë përfshijnë edhe zonat që më parë ishin komuna, koncepti i punës së bashkisë mbetet i kufizuar në rrugë, ujësjellës dhe kanale vaditëse, ndërkohë që nuk përfshihen në zinxhirin bujqësor të prodhimit, grumbullimit, përpunimit dhe eksportit.
Ai përmendi linjën e kredisë prej 250 milionë eurosh nga Banka e Shqipërisë si një mundësi konkrete që bashkitë duhet ta përdorin për të ndihmuar fermerët, duke bashkëpunuar për të ngritur linja përpunimi.
Edi Rama: Dua të ngre një problem tjetër. Që është qasja dhe filozofia e të marrit lekë nga buxheti për rroga dhe investime. Ende nuk po krijohen ndërmarrje fitimprurëse të bashkive.
Ka disa tentativa të para por shumë minimale dhe të pamjaftueshme. Ndërkohë që me reformën Territoriale, nuk kemi më bashki dhe komuna por bashki që merren edhe me komunat. Ende sot mentaliteti dhe qasja është që puna e bashkisë është puna komunale në fshat.
Pra rrugë, Ujësjellësi, kanalet vaditëse, por jo toka, prodhimi, grumbullimi, përpunimi, eksporti. Këto janë në dorë të atyre që punojnë tokën dhe të Ministrisë së Bujqësisë. Ndërkohë që nëse shkoni në Greqi e Itali, apo kudo tjetër në BE dhe jo vetëm, do të shihni që bashkitë janë pjesë e jetës së fshatit si sipërmarrëse.
Janë pjesë e strukturave të grumbullimit, linjave të eksportit, përpunimit. Sot kemi një instrument shumë më domethënës se sa kishim dje që është linja e kredisë së BSH, 250 mln euro, një kredi e butë ku bashkitë duhet të jenë forcë udhëheqëse. Duhet të bëjnë bashkë fermerët e t’u thotë bëhemi bashkë për një linjë përpunimi të ullirit dhe ta bëjmë vaj, përpunimi i domates për ta bërë salcë etj.
Duke qenë bashkia pjesë është shumë më e lehtë për bankat të mbështesin fermerët. Departamentet e bujqësisë në bashki, janë komike, qesharake, të krijuara për të bërë qoka, jo njerëz që merren me tokën. Duhet rol proaktiv