Ditën e sotme, me anë të një reagimi në llogarinë e tij në “Facebook”, deputeti demokrat Edi Paloka, postoi një mesazh të zëvendëskryeministrit italian, Matteo Salvini, i cili në një reagim për dënimin e Donald Trump, thotë se e majta e përdor sistemin e drejtësisë si armë.
Paloka thotë se një gjë e tillë ndodh edhe në Shqipëri, ndaj Salvini duhet të hedhë sytë edhe përtej Adriatikut.
Reagimi:
“Në këtë postim të tij, Salvini konfirmon një fakt të vërtetë, faktin që edhe në vendet më të zhvilluara demokratike, e majta gjithnjë ka përdorur sistemin e drejtësisë si një armë për eliminimin e kundërshtarëve politikë.
Po ndërsa i jep mbështetjen presidentit Trump në SHBA, Salvini nuk sheh se në anën tjetër të Adriatikut, lideri i opozitës së djathtë, mbahet nën arrest vetëm sepse është kundërshtar politik i një klike të majtë e të korruptuar. Një klike, me të cilën për fat të keq, qeveria e tij ka bërë një marrëveshje diskriminuese dhe pikërisht kjo marrëveshje është arsyeja pse miqtë tanë kanë mbyllur sytë për padrejtësitë dhe vrasjen e demokracisë në Shqipëri!” shkruan Paloka.