Investimet shqiptare jashtë vendit, arritën një rekord të ri historik vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2025, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit ishte 241 milionë euro, në rritje me 25% krahasuar me një vit më parë.
Në pjesën më të madhe, investimet shqiptare ishin në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit. 65% e vlerës totale të investimeve shqiptare jashtë vendit në 2025 ishin injektime të reja kapitali, ndërsa pjesa e mbetur ishin kryesisht fitime të riinvestuara të shoqërive të kontrolluara jashtë vendit.
Të lidhura
None found
Investimet direkte dalëse sidoqoftë kanë ende një peshë të ulët në raport me investimet e huaja hyrëse në Shqipëri, me rreth 18% të tyre.
Bilanci neto i investimeve të huaja direkte ishte negativ (investimet hyrëse tejkalojnë ndjeshëm ato dalëse), për një vlerë të përgjithshme prej 1.33 miliardë eurosh, në rënie me 0.7% krahasuar me vitin 2024.
Investimet e huaja direkte në Shqipëri u rritën për të pestin vit radhazi në 2025 dhe arritën një rekord të ri historik. Ato shënuan vlerën e 1.64 miliardë eurove, në rritje me 3.5% krahasuar me një vit më parë.
Informacioni statistikor për investimet e sipërmarrjes tonë jashtë vendit kufizohen vetëm në të dhënat e Bilancit të Pagesave dhe nuk ekzistojnë të dhëna më të detajuara për shpërndarjen e tyre gjeografike apo sektoriale.
Megjithatë, dihet që një pjesë e grupeve të mëdha të biznesit në Shqipëri i kanë shtrirë një pjesë të aktiviteteve të tyre edhe jashtë vendit, si pjesë e strategjisë së zgjerimit dhe diversifikimit të tregjeve. Kjo tendencë duket të jetë në rritje të dukshme gjatë viteve të fundit.
Grupi Balfin ka shtrirë prej vitesh aktivitetet e lidhura me ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme në Austri, Zvicër dhe Amerikën e Veriut.
Grupi Kastrati ka kryer një investim të rëndësishëm në sektorin e hotelerisë në SHBA. Ndërkohë, grupe të tjera të rëndësishme të biznesit shqiptar kanë një prani të konsoliduar edhe në tregjet rajonale, sidomos në Kosovë.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës japin një informacion për investimet shqiptare në Kosovë, që vlerësohet se është shteti me përqendrimin më të madh të investimeve shqiptare.
Shifrat e BQK-së tregojnë se deri në fund të 9-mujorit 2025, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 551 milionë eurove. Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i tretë më i madh në Kosovë.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në ndarjen sektoriale, investimet shqiptare janë të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, ndërtim, prodhim dhe tregti./ Monitor
