Qendra evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) të mërkurën (15 dhjetor) ka paralajmëruar se vetëm vaksinimi nuk do të mund të ndalë hovin e variantit të ri të koronavirusit, Omicron.
Kjo agjenci e Bashkimit Evropian ka thënë se ka nevojë urgjente për veprim.
“Në situatën aktuale, vetëm vaksinimi nuk do të mund të parandalojë efektin e variantit Omicron sepse nuk do të ketë kohë të adresohen mungesat në vaksinim që ekzistojnë ende”, tha Andrea Ammon, drejtor i ECDC-së.
Kjo agjenci ndërkohë ka ngritur vlerësimin e rrezikut të efekti të Omicronit në shëndetin publik në “shumë të lartë”.
Agjencia ka bërë thirrje për fuqizimin dhe rikthimin intervenimeve jofarmaceutike, si bartja e maskave, higjiena e duarve, distanca në punë dhe parandalimi i grumbullimeve në hapësira publike.
“Është urgjente që veprime të fuqishme të merren për të zvogëluar transmetimin dhe të zbusin presionin mbi sistemin shëndetësor, për të mbrojtur grupet më të ndjeshme në muajt në vazhdim”, shtoi Ammon.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësië, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të martën (14 dhjetor) se varianti Omicron është raportuar në 77 vende dhe ka gjasa që të jetë shpërndarë te shumica e vendeve, i padetektuar “në një shpejtësi që nuk e kemi parë te variantet tjera”.
Tedros gjithashtu paralajmëroi se nuk duhet që Omicron të quhet “i lehtë”, pasi sipas tij, edhe pse ky variant shkakton sëmundje më të lehtë, “numri i rasteve mund të mbingarkojë sistemin shëndetësor”./REL