E vetmja grua në garë për kreun e SPAK/ Doloreza Musabelliu shpalos platformën: Synoj rezultate konkrete

Kandidatja e dytë për kreun e SPAK, që po intervistohet nga KLP, Doloreza Musabelliu, po shpalos platformën e saj për drejtimin e kësaj strukture.

Musabelliu u shpreh se; është marrë kryesisht me goditjen e krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike, me disa procedime të mbyllura me sukses dhe dënimin e autorëve.

Ajo u shpreh se drejtimi SPAK, duhet të jetë me integritet dhe pa kompromis teksa theksoi se synon rezultate konkrete në ushtrimin e detyrës.

“Kam përfunduar studimet ne 2002 dhe menjëherë më pas në Magjistraturë. Në 2005 jam emëruar tek Krimet e Rënda. Nga 2004-2019 kam qenë tek Krimet e Rënda e mandej në SPAK. Të dy këto prokurori kanë përfaqësuar momente të rëndësishme në forcimin e shtetit të së drejtës. Që në vitin 2004 jam marrë me krimet e rënda dhe grupe të strukturuara kriminale. Pavarësisht vështirësive, kam vijuar me këmbëngulje në detyrat e mia duke kontribuar në rezultate konkrete” .Pjesa më e madhe e çështjeve të hetuara prej kanë kundër trafik të narkotikëve. Përmend një çështje të vitit 2015 ku për herë të parë u hetua një rast ajror i trafikut të narkotikëve, ku në përfundim u dënuam me vendim të formës së prerë. Kam hetuar çështje të korrupsionit.

Këto çështje reflektojnë bindje profesionale se asnjë funksionar pavarësisht statusit nuk qëndron mbi ligjin. Për të kaluar tek prokuroria e posaçme kam hetuar çështje sensitive. Çështja e vitit 2019, ku veçanti e kësaj çështje është se është kryer në bashkëpunim me autoritetet holandeze. Çështja penale e vitit 2021 ndaj një ish kryetar bashkie dhe bashkëpunëtorëve të tij. Një risi ka qenë se është proceduar me sekuestrimin e kriptomonedhave dhe falë bashkëpunimit me shtetet e huaja arritëm t’i ruanim”, tha Musabelliu.

Anëtarët e KLP-së do të zgjedhin në mbledhjen e sotme kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, i cili do të ketë një mandat 3-vjeçar. Mandati i kreut aktual të kësaj prokurorie, Altin Dumani mbaron këtë muaj.

Në garë për kreun e SPAK-ut janë katër prokurorë, Klodian Braho njëherësh shefi i seksionit kundër korrupsionit dhe “Shpërdorimit të detyrës” në SPAK, Adnand Xholi, i cili aktualisht mban postin e zv/drejtuesit të prokurorisë, Elvin Gjokaj që shërben pranë seksionit kundër korrupsionit dhe Doloreza Musabelliu që është pjesë e seksionit kundër krimit të organizuar në SPAK.


Shtuar 11.12.2025 11:53